Lajme

Bislimi i kundërpërgjigjet BE-së: S’ka zgjedhje serbe në Kosovë, pa kërkesë zyrtare nga Serbia


Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, i është kundërpërgjigjur zëdhënësit të Bashkimit Evropian, Peter Stano, që kritikoi moslejimin e mbajtjes së zgjedhjeve të Serbisë në territorin e Kosovës, të mërkurën.

Sipas Bislimit, tentimi për të organizuar zgjedhje të një shteti tjetër në Kosovë pa një kërkesë paraprak, nuk është në frymë të dialogut.

“Nuk janë planifikuar zgjedhje këtë vit në shtetin tonë. Nëse autoritetet e shteteve tjera preferojnë të organizojnë zgjedhje në Kosovë për diasporën e tyre, atëherë duhet që zyrtarisht t’i kërkojnë autoriteteve tona një vendim pozitiv dhe përkrahje”.

Ai ka sqaruar se përderisa s’ka kërkesë zyrtare direkte nga Serbia, atëherë s’mund të ketë vendim.

“Tentimi për të organizuar zgjedhje pa një kërkesë paraprake apo vendim pozitiv, nuk është në frymën e dialogut dhe nuk i kontribuojnë ndërtimi të besimit. Përderisa nuk ka një kërkesë zyrtare direkte, atëherë nuk mund të ketë vendim. Z. Stano besoj se e di këtë”, ka shkruar Bislimi në platformën “X”.

Zëdhënësi i Komisionit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano, ka deklaruar për media të mërkurën se BE-ja rekomandon që të rifillojë praktika për të lejuar serbët e Kosovës të votojnë brenda vendit gjatë zgjedhjeve parlamentare serbe të 17 dhjetorit.

“Me keqardhje konstatojmë se praktika e vendosur e lejimit të serbëve të Kosovës që të votojnë në Kosovë për zgjedhjet parlamentare serbe me lehtësimin e OSBE-së nuk u lejua sërish nga autoritetet e Kosovës. Si rezultat, votuesit serbë do të duhet të udhëtojnë në qytetet e Serbisë jugore për të votuar në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të 17 dhjetorit”.

Nga Stano, është thënë se duhet të lejohen serbët e Kosovës të votojnë për zgjedhjet në Serbi.

“Ky vendim nuk është në përputhje me frymën e Dialogut, parimin e mbrojtjes së të drejtave të komuniteteve joshumicë dhe ndërtimin e besimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. BE-ja rekomandon rifillimin e praktikës së vendosur për të lejuar serbët e Kosovës të votojnë në Kosovë gjatë zgjedhjeve parlamentare serbe të 17 dhjetorit, me lehtësimin e OSBE-së”.

Zgjedhjet parlamentare në Serbi mbahen më 17 dhjetor.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore