Lajme

Bislimi flet me gazetarët nga Lugina për diskriminimin e Serbisë ndaj shqiptarëve


Foto; ZKM

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, është takuar këtë të enjte me përfaqësues të mediave në gjuhën shqipe nga Lugina e Preshevës, ku i kanë shprehur shqetësimet e tyre lidhur me diskriminimin që Serbia ua bënë shqiptarëve që jetojnë atje.

Siç njofton zyra e kryeministrit, gjatë takimit u diskutua për zhvillimin e informimit shqip në komunat e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, si dhe sfidat me të cilat përballen mediat e qytetarët atje.

“Përfaqësuesit e mediave të Luginës shprehën shqetësime serioze në lidhje me diskriminimin ndaj shqiptarëve dhe, në veçanti, situatën e paqëndrueshme dhe diskriminuese ndaj mediave shqipe në Luginë”, thuhet në njoftimin e ZKM-së.

“Edhe pse përcaktimet ligjore duhet të sigurojnë qasje të barabartë për mediat në gjuhën shqipe në Serbi, ato ende përballen me pengesa dhe vështirësi kur tentojnë të përfitojnë edhe nga mbështetja financiare, e nevojshme për të plotësuar të gjitha kushtet e nevojshme”.

Aty theksohet se nevoja për qëndrueshmëri financiare është një çështje kyçe për bashkëpunim, “rritjen e profesionalizmit dhe cilësisë së informimit shqip në Luginë, duke respektuar parimet e gazetarisë së pavarur dhe etikën profesionale”.

Bëhet me dije se Bislimi i ka njoftuar pjesëmarrësit rreth mundësive të bashkëfinancimit nga mjetet e buxhetit të Kosovës për Luginën e Preshevës.

“Gjithashtu, shprehu përkushtimin e Qeverisë për të mbështetur dhe kontribuar pozitivisht në përmirësimin e situatës në Luginën e Preshevës”.

Serbia i diskriminon sistematikisht shqiptarët që jetojnë atje, madje nuk ua lejon as përdorimin e flamurit kombëtar.

Një nga çështjet që së fundmi është ngritur edhe në Senatin Amerikan është edhe pasivizimi i adresave, posaçërisht në Medvegjë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore