Shqipëria

Birminghami dështon, nuk shlyen borxhin e pagesave të pabarabarta


Këshilli Bashkiak i Birminghamit ka dështuar të paguajë borxhin në lidhje me reparacionet për pagën e barabartë midis burrave dhe grave.

Qyteti i dytë më i madh në Angli, i udhëhequr nga Laburistët, partia kombëtare opozitare, ka nisur procedurat e falimentimit.

Po ashtu është kërkuar nga qeveria ndihmë “për të rikthyer qytetin në një bazë solide financiare”.

Sipas një zëdhënësi të Këshillit Bashkiak, procedurat e falimentimit janë pjesë “e planeve për të përmbushur detyrimet financiare të këshillit në lidhje me pretendimet për paga të barabarta”.

Dhe për “një boshllëk buxhetor, i cili aktualisht shkon rreth 87 milionë paund”.

Shifra do të rritet në 164.8 milionë në vitet 2024/2025.

Problemi është se në 10 vitet e fundit gratë janë paguar më pak se burrat.

Në qershor, Bashkia e qytetit – që ka 3 milionë banorë – kishte njoftuar se kishte një detyrim kontingjent në lidhje me pretendimet për paga të barabarta nga 650 deri në 760 milionë paund.

Për të kuptuar se si është e mundur kjo, duhet parë viti 2012 kur një vendim historik i gjykatës vendosi që Bashkia duhet të kompensojë deri në 1.1 miliardë paund punonjësve të diskriminuar nga pikëpamja e pagave.

Bëhet fjalë për 174 punonjës, kryesisht gra, të cilat punojnë në role si ndihmës mësues, pastrues dhe hoteleri.

Punonjës që nuk kishin përfituar kurrë nga shpërblimet e dhëna atyre që mbanin role tradicionalisht mashkullore.

Llogaritë e bashkisë më pas kaluan në krizë edhe për shkak të krizës së financimit.

Financimi i qeverisë nga Londra ra me 40 për qind në terma realë midis viteve 2009/2010, periudhë e shënuar nga ngritja e konservatorëve në pushtet.

Po ashtu edhe në periudhën kohore 2019/2020.

Njëherazi, britanikët kanë parë rritje të ndjeshme të taksave lokale gjatë kësaj periudhe kohore dhe tendenca ka vazhduar me rritjen e çmimeve, duke përkeqësuar krizën e kostos së jetesës.

Marrë nga “Corriere della Sera”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore