Lajme

Biden: S’ka valë të kuqe masive, gati të punoj me republikanët


“Vala e kuqe masive nuk erdhi”.

Me këto fjalë dhe me një ndjenjë vetëkrenarie për rezultatin e arritur në zgjedhjet e “mid-terms” në SHBA, presidenti amerikan, Joe Biden, thuajse foli me tonin e një triumfuesi, në fjalimin e tij të parë pas rezultateve.

Sipas tij, nuk ka një valë masive republikane kundër tij, pasi kjo nuk u pa në votime.

Megjithatë, ai u tregua i gatshëm të bashkëpunojë me republikanët mbi çfarëdo gjëje që është e nevojshme për mbarëvajtjen e politikave amerikane.

Teksa numërimi ende vijon për dy shtete në rang Senati dhe shumë zona për ulëset në Kongres, Biden ravijëzoi se gara për shumicën në dhomën e përfaqësuesve, nuk është përmbyllur.

Kjo, edhe pse republikanët kanë aktualisht 204 vende, në krahasim me 187 të demokratëve.

Ndërsa, Senati, aktualisht është i ndarë në 49 me 48 për republikanët sërish, ku shteti i Georgia-s ka shkuar në balotazh dhe Nevada e Arizona, vijojnë të numërojnë vota.

Në këtë të fundit, demokratët kanë epërsinë në përqindje dhe duket të jenë të projektuar si fitues.

Nevada ndërkohë, duket më e prirur të shkojë drejt balotazhit, por republikanët “in extremis” mund të fitojnë ato 0.2% që i duhen, për të marrë ulësen me rëndësi.

Në këto kushte, Senati do të vendosej në balotazhin e Georgia-s, ku me fitoren e demokratëve, dhoma e lartë do të kishte baraspeshë totale 50 me 50, ndërsa me fitoren e republikanëve, do të kishte shumicë të kuqe me 51-49.

Në terma të gjerë, Biden ka specifikuar se kjo ishte “një ditë e mirë për SHBA-të”, dhe ka treguar se pse Amerika, është demokracia “par excelence” në rang botëror.

Me një batutë ndaj shtypit, ai e mbylli fjalimin e tij, duke thënë se pavarësisht parashikimeve “shkërrmoqëse” për demokratët dhe komenteve të shumta kundër optimizmit të tij, i gjithë procesi ka qenë një kohështrirje kur presidenti amerikan, “është ndjerë mirë”.

Shteti kyç i Georgia-s shkon në balotazh në zgjedhjet amerikane

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore