Libra

‘Bibla për mëkatarët’ gjendet në Zelandën e Re


Në Zelandën e Re, u gjet një kopje e Biblës, e cila për shkak të disa gabimeve inkurajonte tradhtinë bashkëshortore.

Bibla “imorale”, e shtypur në vitin 1631, u bë e famshme për heqjen e fjalës “mos” në urdhëresën e shtatë.

Ajo i udhëzonte besimtarët të “kryenin tradhti bashkëshortore”, sipas të përditshmes britanike “The Guardian”.

Në total, u shtypën mijëra kopje të këtij testi, i cili u bë i njohur si “Bibla e mëkatarëve” ose “Bibla e kurorëshkelësve”.

Gabimi u zbulua vetëm një vit më vonë.

Pas kësaj, kopistët Robert Barker dhe Martin Lucas u thirrën te Mbreti Charles I për gjykim.

Atyre iu hoq licenca e shtypjes dhe u gjobitën me 300 paundë.

Shumica e teksteve u dogjën, duke mbetur në qarkullim vetëm 20 copë.

Kopje të Biblës së Mëkatarëve janë nxjerrë herë pas here në ankand, kryesisht në Britaninë e Madhe dhe SHBA.

Megjithatë, është hera e parë që një Bibël e tillë është zbuluar në hemisferën jugore, sipas të dhënave nga Universiteti i Canterbury-t.

Universiteti mësoi për ekzistencën e kësaj kopjeje në vitin 2018, por e mbajti të fshehtë gjetjen, gjë që i lejoi studiuesit ta studionin atë, si dhe të merrnin masa ruajtjeje.

Rruga e kopjes së Biblës para se të mbërrinte në Zelandën e Re mbetet një mister.

Zakonisht libra të tillë përmbajnë shumë gjenealogji, data, vende, si dhe regjistrime të lindjes dhe vdekjes.

Por kjo kopje e Biblës së Mëkatarëve përmban vetëm një emër të palexueshëm.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore