Lajme

Besnik Tahiri: “Habitem se si kryeministri flet për rritje ekonomike”


Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka thënë se habitet kur dëgjon teksa Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe Ministri i Financave, Hekuran Murati, flasin për rritje ekonomike, pasi sipas tij, masat e ndërmarra nuk janë kompatibile me konceptet zhvillimore.

Kështu është shprehur ai gjatë seancës plenare në Kuvendin e Kosovës, teksa po diskutohet për miratimin e buxhetit për vitin 2022.

“Kur e dëgjoj kryeministrin dhe ministrin e financave, që flasin për rritje ekonomike, habitem se si masat që janë ndërmarrë nuk përkojnë në asnjë vijë me konceptin zhvillimor dhe me konceptin që qeveria do ta përçojë si porosi te qytetari tek një ekonomi e qëndrueshme”, është shprehur ai.

“U fol shumë për rritjen e buxhetit, por jo gjithmonë rritja e buxhetit reflekton gjendjen dhe situatën reale socio dhe ekonomike në vend”.

Sipas tij, në tërësi krahas të gjitha politikave të qeverisjes 2021-2024, reflektohen dy dimensione themelore.

“I pari lidhet me forcimin e Ministrisë së Financave që në esencë ka të bëjë me një gamë të ndihmës sociale, që në esencë për qytetarët është vetëm një injeksion, një masë e përkohshme, por jo e qëndrueshme”.

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri

“E dyta ka të bëjë me buxhetin ku e keni rritur në ministrinë e infrastrukturës që në të kaluarën e quanin ministria e korrupsionit, ministria e asfaltit”.

Derisa ka përmendur edhe tri zotimet e kryeministrit Albin Kurti në fushatë për Podujevën, për çka tha se duhet të ndahen mjetet për zonën ekonomike, për spitalin dhe për rrugën Prishtinë-Podujevë.

“E keni çuar asfaltin në Sharr pa kurrfarë nevoje, e keni bllokuar qarkullimin kryesor. Dërgoni dy investimet kryesore që i keni zotuar. Tri elemente janë kyçe, zonën ekonomike nuk e keni në buxhet. E dyta lidhet me rrugën Prishtinë-Podujevë ka mbetur ‘zorrë qorre’”.

“Këtu deputetët e Vetëvendosjes dhe kryeministri Kurti dilte pinte çaj në Podujevë. Pra, me votuar dhe me projektuar me buxhet, mos me lënë vetëm një milion. Edhe e fundit, spitalin rajon që e keni premtuar”, theksoi Tahiri.

Në anën tjetër, ai ka thënë se është inkurajuese dhe pozitive fakti që është rritur buxheti për Ministrinë e Mbrojtjes.

“Sa i përket ekonomisë, ju po flitni për pakon e ringjalljes ekonomike ku thuhet se qeveria jep 420 milionë euro. Ndërsa janë të shpenzuara vetëm 101 milionë për vetëm nëntë muaj. Ky ose është mashtrim i qëllimshëm ose huqje klasike e buxhetit për rimëkëmbje ekonomike”.

Lidhur me ligjin e pagave, Tahiri ka theksuar se në buxhetin e këtij viti nuk ka vijë të saktë buxhetore për ligjin e pagave.

“Mungesa e saj tregon ose mos vullnetin politik për ta shtyrë përpara këtë ligj ose mos kapacitetin për të mundur për t’i dalë në ballë kësaj detyre”.

“Diskutoni me sindikate dhe thuani troç ky ligj nuk vjen në kuvend, i kemi edhe tri javë kohë, ejani ta bëjmë një ri organizim të buxhetit dhe ta çojmë ligjin e pagave në mënyrë që të japim një përgjigje reale këtij problemi serioz”.

Në anën tjetër, Deputetja nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Hykmete Bajrami, ka theksuar se rritja e të hyrave në dy miliardë e 748 milionë euro vjen si rezultat i relaksimit të masave, prezencës së diasporës, rritjes së remitancave, inflacionit që ka rritur çmimet dhe rritjes së çmimeve të transportit.

Deputetja nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Hykmete Bajrami

““Rritjen e pashembullt ekonomike nuk po e përjetojnë qytetarët, qytetarët të vetmen rritje që po e vërejnë këto ditë është rritja e çmimeve e ju mund të thoni gjithë ditën se kemi rritje e lulëzim ekonomik, por ata e dinë se po e jetojnë në lëkurën e tyre kur me pagat e njëjta dhe pensionet e njëjta shporta në markete po iu mbesin përgjysmë”.

“Ne e dimë që ju keni dhënë shtesa por po jepni një 10 euro, respektivisht 20 euro, sikur për fëmijët e deputetëve të ministrave të shefave të agjencive, gjyqtarëve dhe prokurorëve edhe të atyre që janë në asistencë sociale e nëse ju këtë e quani barazia sociale unë po iu them se kështu nuk bëhet barazia sociale”, shtoi ajo.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore