Shqipëria

Besimtarët myslimanë kremtojnë Fitër Bajramin


Besimtarët myslimanë anembanë botës kremtojnë festën e Fitër Bajramit, pas një periudhe 30-ditor agjërimi gjatë muajit të Ramazanit.

Prej vitesh një kremtim masiv në kryeqytet, edhe këtë vit pritet që falja e namazit në orët e para të mëngjesit, të kryhet në Sheshin Skënderbej nga ana e besimtarëve, nën drejtimin e kreut të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Bujar Spahiu.

Për Albanian Post ndërkaq, imami i xhamisë së Novosejës, Xhevahir Lika, ka shpjeguar më me detaje simbolikën pas këtij kremtimi.

“Fitër Bajrami është festa e afrimit te zemrave”, thekson ai. “Kjo festë kremtohet nga të gjithë̈ besimtarët, sidomos prej atyre që kanë dhënë̈ kontributin shpirtëror dhe fizik gjatë Ramazanit.

Sipas imamit, festa në Islam është një ditë ku shfaqet gëzimi e hareja. Kjo, duke u plotësuar me adhurimin dhe falënderimin ndaj Allahut.

“Bajrami eshtë dita e shpresës, gëzimit dhe të shprehurit e dashurisë ndaj të tjerëve. Dita që duhet t’i japim fund xhelozisë, mërisë, hatërmbetjes dhe smirës ndaj të tjerëve. Dita e forcimit të vëllazërisë dhe miqësisë me njerëzit”.

Ndihma ndaj nevojtarëve, nuk duhet të mungojë në këtë ditë të veçantë sipas imamit. Kjo, pasi festa simbolizon bashkimin dhe shtrirjen e dorës ndaj të tjerëve.

Një apel nga ai, shkon për ta bërë këtë ditë, një tingëlluese më të madhe të lutjeve për familjarët dhe të dashurit. “Për shkak të dashurisë, shpirti vihet në lëvizje”, cilëson Lika.

Dashuri, që duhet të reflektohet edhe përmes sakrificës një mujore të Ramazanit.

“Sakrifica, është dashuria jonë ndaj krijuesit”, vlerëson ai. “Rrjedhimisht, edhe ndaj njëri-tjetrit, sepse sakrifica sjell edhe dashurinë”.

Fitër Bajrami dhe Kurban Bajrami, i cili shënohet dy muaj e dhjetë ditë pas të parit, janë festat më të rëndësishme në besimin islam.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore