Lajme

Bërnabiç: Trashëgimia serbe në Kosovë është dëshmi e rëndësisë së UNESCO-s


Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiç.

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiç, deklaroi se shembujt e rrezikimit të trashëgimisë kulturore, historike dhe shpirtërore serbe në Kosovë janë dëshmi se sa i rëndësishëm është roli i UNESCO-s në mbrojtjen dhe ruajtjen e trashëgimisë.

Në seancën e 41-të të Konferencës së Përgjithshme të UNESCO-s në Paris, Bërnabiç theksoi rëndësinë e trashigimisë kulturore mesjetare serbe në Kosovë.

“Trashëgimia serbe në Kosovë është e një rëndësie të pamatshme, jo vetëm për identitetin kombëtar të Serbisë, por edhe si pjesë e trashëgimisë së vlerësuar evropiane dhe botërore”, tha Bërnabiç, shkruan media serbe Tanjug.

Në 75 vjetorin e UNESCO-s, ajo përmendi edhe trashëgimin e UNESCO-s në Serbi.

“Serbia është krenare për trashëgiminë e UNESCO-s dhe do të vazhdojë të insistojë në mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe natyrore përmes listës së saj të trashëgimisë botërore të rrezikuar, sepse ky është çelësi për mbrojtjen e trashëgimisë së vetë Serbisë, veçanërisht Kosovës”.

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiç në Forumin e Paqes në Paris.

Ajo tutje tha se tema dhe politika kryesore e Serbisë është depolitizimi i UNESCO-s, që sipas saj Kosova nuk ka çfarë të kërkoj në këtë organizatë.

Për çështjen e anëtarësimit të Kosovës në UNESCO, ajo konsideron se do të ishte katastrofal.

“Mendoj se anëtarësimi i Kosovës në UNESCO do të ishte katastrofik. Mendoj se do të ishte një precedent i madh dhe dihet se do të na dërgonte në shumë çështje të tjera me përmasa globale që UNESCO-s nuk i duhen”, tha Bërnabiç, raporton N1.

Ajo po ashtu gjatë bisedës veçoi takimin me Drejtoreshën e Përgjithshme të UNESCO-s, Audrey Azula.

Bërnabiç mori pjesë në Forumin për Paqe në Paris, duke theksuar se forumi këtë vit kryefjalë e kishte qeverisjen globale në mes të pandemisë dhe përgatitjeve për qeverisjen globale pas pandemisë.

Në këtë forum është duke marrë pjesë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Forumi i Paqes në Paris do të zgjasë për tre ditë nga 11 deri në 13 nëntor.

“Në total, 450 pjesëmarrës priten të jenë prezent, duke përfshirë rreth tridhjetë krerë shtetesh dhe qeverish”, thuhej në njoftimit për media të Zyrës së Presidentit të Francës, Emannuel Macron.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore