Lajme

Bërnabiç nga Mitrovica e Veriut: Interesi i Serbisë dhe popullit serb është paqja dhe stabiliteti


Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiç në Mitrovicën e Veriut.

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiç, pas arritjes së saj në Mitrovicën e Veriut është shprehur para mediave se dëshiron të përcjell mesazhe të paqes, stabilitetit dhe tolerancës.

“Jam e lumtur që edhe pas provokimeve të fundit, të 31 korrikut, arritëm ta ruajmë paqen. Interesi i Republikës së Serbisë dhe popullit serb është paqja dhe stabiliteti”, deklaroi ajo.

Ajo u shpreh se është e lumtur që ndodhet në Kosovë pasi sipas saj serbët në Mitrovicën e Veriut janë “në një moment kaq të vështirë”.

Ndërkaq theksoi se aktualisht është koha për të formuar Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë dhe tha se një gjë të tillë do ta përsërisë kudo që të shkojë nga Mitrovica në Bruksel e Pekin.

“Në këtë do të vazhdojmë të këmbëngulim çdo ditë”, potencoi Bërnabiç.

Ajo nga Qendra Multimediale në Mitrovicë, e përcolli mesazhin e Vuçiçit drejtuar serbëve që banojnë në këtë pjesë.

“Dëshiroj që nga këtu të dërgoj mesazhin për qetësi, stabilitet dhe tolerancë, gjithashtu një porosi nga presidenti Aleksandar Vuçiç,  që gjithmonë do të jemi me popullin tonë në Kosovë. Gjithnjë do të mund të mbështeteni në Serbinë tuaj”.

“Edhe pse në veri po qëndroj në rrethana të rënda, jam shumë e lumtur që pas provokimeve të fundit më 31 korrik, kemi arritur të ruajmë qetësinë. Interesi i Serbisë është qetësia dhe stabiliteti”.

Derisa, institucionet e Kosovës i quajti “të përkohshme” duke u garantuar serbëve siguri.

Një “reciprocitet” vizitash po ndodhë këtë të hënë, kur kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiç do ta vizitojë Kosovën dhe Besnik Bislimi, zëvendëskryeministër i Kosovës dhe Arbërie Nagavci, ministre e Arsimit, shkojnë në Luginë të Preshevës.

Kryeministrja e Serbisë ka ardhur me agjendë të ngjeshur në Kosovë.

“Gjatë vizitës, Brnabiç do të vizitojë Mitrovicën, Zveçanin dhe Leposaviqin”, thuhet në njoftimin e qeverisë serbe.

Bashkë me të, do jenë edhe drejtori i të ashtuquajturës Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç dhe drejtori i Zyrës për IT dhe eQeverisje Mihailo Jovanoviç.

Ky i fundit vjen, pasi Brnabiç do të vizitojë qendrën e parë multimediale në veri të Kosovës dhe të ashtuquajtur Akademinë në Mitrovicë, pas së cilës është planifikuar një vizitë në manastirin e Banjskës në komunën e Zveçanit.

Më pas, në komunën e Leposaviqit, kryeministrja serbe do të vizitojë familje serbe që qeveria serbe u ka ndërtuar shtëpi.

Kjo është vizita e parë e Brnabiç qysh nga viti 2017, kur kishte vizituar Kosovën në cilësinë e njëjtë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të cilin Brnabiç nuk e njeh për homolog, e ka komentuar vizitën e saj, por vetëm për të thënë se pret që ajo “të mos bëjë deklarata përçarëse, si i ashtuquajturi drejtor për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore