Lajme

Bërnabiç i ankohet shefes së UNMIK-ut – “Jemi të shqetësuar për sigurinë e serbëve në Kosovë”


Ana Bërnabiç dhe Caroline Ziadeh

Përfaqësuesja Speciale e Sekretarit të Përgjithshëm dhe Shefja e Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), Caroline Ziadeh, të hënën ka takuar kryeministren e Serbisë, Ana Bërnabiç, në ndërtesën e Qeverisë së Serbisë, raportojnë mediat serbe.

Bërnabiç dhe Ziadeh, kanë diskutuar për raportin gjashtë-mujor të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, i cili do të prezantohet në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së më 27 prill të këtij viti, raport i cili prezanton situatën në Kosovë dhe domosdoshmërinë e zbatimit të Marrëveshjes së Brukselit.

Sipas njoftimit për media e lëshuar nga ana e Qeverisë së Serbisë, Bërnabiç në këtë takim ka theksuar se është shumë e shqetësuar për sigurinë e serbëve në Kosovës, të cilët sipas saj, vazhdimisht janë të “ekspozuar ndaj provokimeve të Prishtinës”.

Kur fjala është për Marrëveshjen e Brukselit, Bërnabiç, ka përkujtuar se Ujdia në fjalë nuk është zbatuar nga Kosova për 10 vjet duke theksuar se është e nevojshme themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, mekanizëm i cili, sipas Bërnabiç, do të mundësojë serbëve të ndjehen më të sigurt.

Në takim në mes të Bërnabiç dhe Ziadeh, siç njofton komunikata për media, është diskutuar edhe nisma e Ballkanit të Hapur.

“Ky format është një mundësi e shkëlqyer për të lidhur të gjithë rajonin në mënyrë që të arrihet prosperiteti ekonomik, si dhe një qarkullim më i shpejtë i njerëzve dhe mallrave”.

Në anën tjetër, Ziadeh, ka theksuar se qëllimi parësor është ruajtja e paqes dhe stabilitetit në Kosovë duke vlerësuar se iniciativa e Ballkanit të Hapur, është një mundësi për integrimin ekonomik të rajonit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore