Lajme

Bërnabiç akuzon opozitën në Serbi për politizimin e vrasjeve masive: A jeni normal?


Ana Bërnabiç

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiç, në një intervistë disa ditë pas dy vrasjeve masive të ndodhura në Beograd ka akuzuar opozitën për politizimin e çështjes në fjalë duke e fajësuar presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Ndërsa opozita në Serbi ka njoftuar se do të mbajë një protestë të hënën e 8 majit për shkak të situatës së sigurisë në Serbi, Bërnabiç ka kujtuar se vrasje të ngjashme masive ka pasur edhe në vende të tjera, po se “askush nuk e ka shfrytëzuar kurrë një gjë të tillë për përballje politike dhe sulm ndaj qeverisë”.

“Është e paimagjinueshme. Është skandaloze dhe e pakuptueshme nga ana njerëzore të thuhet se për këto krime është fajtor Aleksandër Vuçiç dhe partia të cilën ai e udhëheq. A jeni normal? Ju nxituat të politizoni dhe kjo nuk kontribuon në uljen e polarizimit në vendin tonë”, ka thënë Bërnabiç.

Një vrasje masive ka ndodhur në orët e hershme të mëngjesit të ditës së mërkurë kur një nxënës 13-vjeçar ka nxjerrë një armë nga çanta pasi ka mbërritur në shkollë dhe ka qëlluar ku si pasojë nëntë persona u vranë dhe gjashtë fëmijë dhe një mësues u plagosën rëndë.

Dorasi i mitur u arrestua menjëherë në oborrin e shkollës ku kreu vrasjet.

Një ditë pas vrasjes masive në shkollën fillore, një tjetër pasoi në fshatrat afër Mlladenovcit, rreth 60 kilometra larg Beogradit.

Tetë persona humbën jetën dhe 14 u plagosën në atë sulm të armatosur të ndodhur në orët e vona të mbrëmjes së 4 majit.

Në mëngjesin e 5 majit, policia arrestoi të dyshuarin për sulmin. Një i ri njëzet e një vjeçar dyshohet për vrasje masive.

Sulmi i dytë masiv në Serbi, Vuçiç’i kërkon kthimin e dënimit me vdekje: Dorasi s’do të shohë dritë me sy

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore