Shqipëria

Berisha thotë se do shpallë Sorosin ‘non grata’


Nuk është vetëm Edi Rama “armik” i Sali Berishës, por edhe miliarderi hungarez-amerikan, George Soros së bashkë me të birin e tij, Alex, të cilët ish-kryeministri shqiptar, kërkon t’i shpallë non grata.

Mirëpo, përcaktimi i tillë nga Departamenti amerikan i Shtetit, i rëndon vetë Berishës mbi krye.

Pavarësisht kësaj, kjo nuk e ndalon Berishën të flasë me të tillë gjuhë ndaj biznesmenit që investon në gjithë botën për konceptin e “shoqërisë së hapur”.

Akti, për Berishën, do të marrë formë të prerë kur ai, të rikthehet në pushtet si kryeministër i vendit.

“Një nga aktet e para do jetë dyllosja e shoqatës së kapur dhe shpallja non grata e Sorosit dhe të birit. Ne u qëndrojmë vlerave që u besojmë, konservatorizmit dhe traditës”, deklaroi Berisha gjatë një takimi me qytetarët e Tiranës.

Sipas Berishës, Sorosi është “një armik i egër i Shqipërisë”.

Ndaj, do të zhbëjë edhe programet e tij, kur pretendon se do të vijë në pushtet.

Ndër pikat kyçe të “revolucionit Berisha”, do të jetë rinia.

“Programi për rininë do jetë në qendër, nuk ka mëdyshje këtu, beteja jonë është të bindim rininë se Shqipëria është vend i bekuar ku mund të ndërtojnë të ardhmen”, përmbylli ai në takimin me qytetarët.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore