Lajme

Berisha nga RrGK “Ndaleni prostitucionin, do të ndalni edhe trafikimin me qenie njerëzore”


Menaxherja e Programit mbi Dhunën në Baza Gjinore nga RrGK, Adelina Berisha

Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) përmes një komunikate për media thotë se me shqetësim ka përcjellur lajmet e fundit mbi numrin e madh të lokaleve të masazheve, në të cilat ka dyshime të bazuara se është duke ndodhur trafikim me qenie njerëzore si dhe prostitucion i detyrueshëm – të dy këto dukuri të cilat prekin dhe dëmtojnë më së shumti gratë dhe vajzat.

Menaxherja e Programit mbi Dhunën në Baza Gjinore nga RrGK, Adelina Berisha ka thënë për Albanian Post se po e mbështesin këtë aksion për shkak se përmes prostitucionit, vjen si pasoj trafikimi me qenie njerëzore.

“Sot, e mbështetëm aksionin e Policisë së Kosovës për hetim të lokaleve ku dyshohej se po kryhej prostitucioni, që rezultoi edhe me mbylljen e dhjetëra lokaleve ku u gjet se aty me të vërtet po ndodhte prostitucioni. Prostitucioni është vepër penale, dhe vjen si pasoj e trafikimit me qenie njerëzore, dhe marrë parasysh këtë ne, ne jemi kundër çdo forme të trafikimit të vajzave dhe grave ku ato viktimizohen e grupe të ndryshme përfitojnë nga ato”, tha Berisha.

Berisha ka thënë se përmes komunikates që e ka lëshuar RrGK-së, kanë dashur të përcjellin mesazh tek gratë dhe vajzat.

“Përmes komunikatës po ashtu kemi dashur të japim mesazhin tek gratë dhe vajzat se në rast se ato kanë nevojë për ndonjë ndihmë të drejtohet tek RrGK dhe tek anëtaret të cilat mund të ofrojnë ndihmë përmes shërbimeve të këshillimit ligjor dhe psiko-social”.

RrGK në komunikatën për media ka shkruar se një numër i madh i faktorëve luajnë rol që gratë të jenë pre e trafikimit.

“Marrë parasysh pjesëmarrjen e ulët të grave dhe vajzave në tregun e punës, si dhe gjendjen e rënduar ekonomike për shumicën prej tyre, gratë dhe vajzat kanë më shumë gjasa që të jenë pre e trafikantëve dhe mashtrimeve të tilla. Po ashtu, shtojmë këtu se dhuna ndaj grave mbetet ndër format më të shprehura të dhunës që prek gratë, e megjithatë, fatkeqësisht mbetet ndër krimet më pak të ndëshkueshme në vend”, thuhet në reagim.

Po ashtu, “RrGK mbështet këtë aksion të Policisë së Kosovës, si dhe shprehim gatishmërinë ta ndihmojmë atë në çfarëdo forme, duke pasur parasysh punën dhe ekspertizën tonë dekadëshe për përmirësimin e kushteve të jetës për gratë dhe vajzat në Kosovë”.

Sipas statistikave të Policisë së Kosovës, në pesë vitet e fundit janë arrestuar rreth 500 persona si të dyshuar për marrje prostitucioni. Vitet në të cilët më së shumti ka pasur të arrestuar për këtë vepër penale kanë qenë 2016 dhe 2017.

Në vitin 2019, Policia e Kosovës kishte mbyllur 22 lokale masazhi në Prishtinë e Fushë-Kosovë, prej të cilave disa prej tyre merreshin me prostitucion.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore