Shqipëria

Berisha: Me Alibeajn dhe Bardhin jo vetëm shtrëngim duarsh, por diskutim problemi


“Mesazhi im është normalizimi i plotë i jetës së këtij grupi për bashkimin e kësaj partie”.

Ka qenë kjo deklarata e ish-kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha, përmes një konference për shtyp, të premten e 25 marsit, fill pas takimit të Komisionit të Rithemelimit me Enkelejd Alibeajn, Gazment Bardhin, si dhe Arbi Agalliun (përfaqësues të PD-së së njohur publikisht si zyrtare).

“Diskutuam procesin e bashkimit”, ka shpjeguar fillimisht Berisha. “Është detyrim i të gjithë demokratëve të debatojnë, diskutojnë me grupin. Komisioni i Rithemelimit ka besim të plotë te Grupi Parlamentar i kësaj partie”.

Më tej, ai u shpreh se sot është ditë e mirë “për demokratët, por nuk është ditë e mirë për kryeministrin Edi Rama”.

Ndër të tjera, Berisha u bëri thirrje demokratëve, “në emër të Komisionit Rithemelimit, që t’i shtrijnë dorën njëri-tjetrit sot dhe të bashkohen në këtë ditë për interesin më të madh të vendit, Kombit, shoqërisë shqiptare”.

Ish-kryeministri u ndal edhe te vendimi i Gjykatës së Tiranës, e cila legjitimoi vendimet historike të Kuvendit të 11 dhjetorit të PD-së mesditën e 25 marsit.

Sipas tij, këto vendime sjellin PD-në, si parti të votës së lirë, të vlerave konservatore.

“Partia kaloi një krizë, ndaj është detyrë e demokratit të kontribuojë. Pas 6 marsit kam zhvilluar takime të përgjithshme me kryetarë të degëve të PD-së, të rretheve të ndryshme, të cilët deri më 6 mars nuk kanë mbështetur lëvizjen e nisur”.

Në diskursin e tij, Berisha nuk la pa përmendur edhe kryetarin e dorëhequr të PD-së, Lulzim Basha.

“Basha është deputet i PD-së. Ne mbetemi të hapur për të gjithë demokratët.

Çfarë ndodhi sot?

Gjatë ditës së sotme, Gjykata e Tiranës regjistroi statutin e Komisionit të Rithemelimit për ndryshimet statutore të miratuara në Kuvendin e mbajtur më 11 dhjetor 2021.

Kështu, gjyqtari Agron Zhukri ka njohur ligjërisht punimet e Kuvendit të thirrur nga Sali Berisha më 11 dhjetor.

Tanimë kemi dy njohje të statuteve të PD-së, pasi disa ditë më parë u njohën vendimet e Kuvendit të PD-së të mbajtur më 17 korrik.

Kjo do të thotë se, çdo akt i organeve të PD-së, i ndërmarrë para hyrjes në fuqi të këtij Statuti dhe që bie në kundërshtim me dispozitat e tij, shfuqizohet automatikisht me hyrjen në fuqi të Statutit.

Pra, bie vendimi i Bashës, për të përjashtuar Sali Berishën.

Në Statut parashikohet edhe një nen i veçantë për procesin e zgjedhjeve. Procesi nis me krijimin e organeve të reja dhe paraprihet nga një proces anëtarësimesh të reja dhe verifikimin e anëtarësisë ekzistuese.

Po ashtu, ndryshimet në Statut përfshijnë gati një parti të re, duke zhbërë strukturat drejtuese që ishin, me shkarkim të nënkryetarëve, me logo dhe vulë të re të partisë.

Cilat janë ndryshimet që tanimë janë njohur ligjërisht?

I pari është shkarkim i nënkryetarëve, të sekretarit të Përgjithshëm dhe funksionarëve të tjerë të PD-së.

Më pas, organet qendrore të partisë, përveç Kuvendit Kombëtar, ndalohen të ushtrojnë kompetencat deri më 22 mars 2022 – tanimë i shtyrë në muajin prill.

Po ashtu është shpallur pavlefshmëria e konstituimit të Kryesisë së PD-së, rrjedhimisht konsiderim nul të Kryesisë.

Një vendim tjetër është pavlefshmëria e vendimit të Kryesisë së partisë për të thirrur Kuvendin më 18 dhjetor.

Anulimin e thirrjes publike dhe të njoftimit të degëve të PDSH-së për mbajtjen e Kuvendit të 18 dhjetorit.

Ngritja e Komisionit të Rithemelimit të Partisë Demokratike të Shqipërisë me përbërje me 29 anëtarë.

Komisioni i Rithemelimit të PD-së, përgjegjës për organizimin dhe fillimin e proceseve referendare e zgjedhore në PD.

Thirrjen e mbledhjes së Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike më 22 mars 2022.

Ndërkohë dy vendimet e fundit janë të pavlefshme, pasi kanë të bëjnë me shkarkimin e Lulzim Bashës, i cili tanimë ka dhënë dorëheqjen.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore