Shqipëria

Berisha e Noka përjashtohen 10 ditë nga Kuvendi


Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha dhe deputeti demokrat Flamur Noka janë përjashtuar 10 ditë nga Kuvendi.

Ndërsa deputetët Belind Këlliçi dhe Edi Paloka janë përjashtuar 5 ditë.

Noka është njëkohësisht edhe sekretar i Përgjithshëm i Partisë Demokratike. Në një deklaratë për mediat pas vendimit, ai tha se pa fjalën e lirë një Parlament nuk mund të funksionojë.

“Kur ishin në opozitë vetë, vinin me mikrofona dhe nuk është marrë asnjë masë, përkundrazi kanë folur. Këtu po shihni vetëm monizmin”, shtoi deputeti.

Ndërsa, Belind Këlliçi tha se po kërkohej përjashtimi i tij për shkelje të etikës ndërkohë që nuk kishte folur fare gjatë seancës plenare.

Ai theksoi se të nesërmen opozita do të mbante sërish protestë para Kuvendit.

“Pretendohet që unë kam futur këtë pajisje që është një pajisje për të mbajtur telefonin. Çdo i ri e ka parë këtë pajisje. E kam gjetur në sallë të parlamentit. Nuk e kam futur fshehurazi këtë pajisje. Ftoj të më nxjerrin videon se ku unë e kam futur fshehurazi dhe se çfarë dëmi përbën një pajisje që mban telefonin”.

Ishte Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste që i ka kërkuar zyrtarisht Kuvendit të përjashtojë katër deputetë të tjerë demokratë si përgjegjës për trazirat që shoqëruan seancën plenare të së hënës.

Për Berishën, socialistët kërkuan masën e përjashtimit maksimal me 10 ditë nga punimet e Kuvendit me argumentin se ka përdorur gjuhë seksiste për disa ministre të qeverisë.

Kujtojmë se më 27 janar, Këshilli i Etikës miratoi kërkesën e socialistëve për përjashtimin e Sali Berishës dhe katër deputetëve të tjerë të grupit të tij.

Përjashtimi i tyre erdhi ata bllokuan një ditë më parë foltoren dhe punimet e Kuvendit.

Ata u përjashtuan për 10 ditë. Katër deputetët e tjerë ishin Edi Paloka, Flamur Noka, Edmond Spaho dhe Belind Këlliçi. Ata nuk do jenë në punimet e Kuvendit, përfshirë mbledhjet e komisionve dhe seancë plenare.

Kaosi i krijuar në Kuvend të enjten çoi deri në mbylljen e seancës dhe përjashtimin e ish-kryeministrit Sali Berisha.

Para se seanca të niste, 16 deputetë nga grupi i Berishës kërkuan që të ndryshohet rendi i ditës dhe të futej në diskutim takimi i kryeministrit Edi Rama me ish-zyrtarin e FBI-së, në praninë e Agron Nezës, person i cili akuzohet se i ka dhënë McGonigal 225 mijë euro dhe nuk i ka deklaruar.

Por kërkesa u rrëzua nga votat e mazhorancës.

Pas kësaj, deputetët e Berishës krijuan kaos duke përplasur duart mbi tavolinë teksa ish-kryeministri nuk pranoi të largohej nga foltorja pavarësisht paralajmërimit.

PS kërkon përjashtimin e 4 deputetëve të PD

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore