Shqipëria

Berisha do t’i bëjë rekurs vendimit të Apelit në Gjykatën e Lartë


Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi pas mbledhjes së Kryesisë se do t’i bëjnë rekurs në Gjykatën e Lartë vendimit të 3 marsit të Gjykatës së Apelit.

Ndër të tjera, ish-kryeministri paralajmëroi se çështjen do ta dërgojnë edhe në gjykatat ndërkombëtare.

“Mendimi në tërësi i juristëve është që ky akt dhe ky vendim të dërgohet për rekurs në Gjykatën e Lartë. E them unë që njerëzit mund të habiten s’i mund ta dërgojmë ne te Sadushi. Por ne, do kërkojmë përjashtimin e Sadushit, nuk presim asgjë tjetër aty por ne do të ndjekim rrugën në gjykatën ndërkombëtare. Në asnjë vend në botë nuk ka ndodhur që të shpallet palë ajo që nuk është palë”, u shpreh fillimisht Berisha.

Kryedemokrati vërejti se mbledhja u thirr për të diskutuar lidhur “me vendimin e fundit të Ramës për të bllokuar regjistrimin e PD-së në zgjedhje dhe të marrë për vete vulën e partisë”.

“Ky moment është dëshmia më flagrante e tmerrit dhe ferrit që ka kapur Ramën, mafian shqiptare të tij, por edhe segmentet e mafias ndërkombëtare”, tha Berisha.

Sipas tij, ata u përpoqën t’i japin PD-së goditjen fatale, “duke i mbajtur një peng politik në krye të saj, që e akuzonin publikisht e ligjërisht si një kukull të financuar nga rusët dhe sipas tyre, ky ishte i përshtatshëm për të drejtuar forcën kryesore opozitare”.

Për ish-kryeministrin shqiptar ky është paradoksi më i madh.

“Opozita të kryesohet nga një njeri i financuar nga rusët, nuk ka paradoks më të madh se ky. Këto skenarë që nisën për çelikosjen e pushtetit të Ramës. Skenari vijoi me proceset të cilat Basha u fut në thes dhe tani Rama mendon se pasi dështoi me bravën do ta ringjallë Bashën me vulën”, theksoi më tej kryedemokrati.

Ai e konsideroi vendimin e Gjykatës së Apelit si “një histori turpi e faqe e zezë për të gjithë ata të cilët mbajnë autorësinë e tij”.

“Vendimi u shkrua në zyrat e Ramës e u dërgua në gjykatë nga Kokona ndihmësja e don Agaçios e shquar për veprime korruptive. U them demokratëve dhe demokrateve se Rama mendoi se do na jepte një goditje, por në të vërtetë na dha një kushtrim, nxori fytyrën e tij siç e ka, i gatshëm dhe i aftë të mbajë çdo qëndrim e të marrë çdo vendim, për interesa të pushtetit të tij”, akuzoi Berisha.

Kreu i selisë blu u bëri thirrje demokratëve që të vazhdojnë revolucionin, pasi janë ata të cilët veprojnë në këtë mënyrë.

“Janë ata që kërkojnë në mënyrat më antiligjore të na largojnë nga gara, mendojnë se në këtë mënyrë do gjejnë paqen që nuk e meritojnë, do u rezervojmë të kundërtën”, paralajmëroi Berisha.

Në përmbyllje të mbledhjes së Kryesisë, u bë e ditur se në darkë do të mblidhet Grupi Parlamentar, ndërsa nesër do të zhvillohet një takim me kandidatët për kryebashkiakë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore