Shqipëria

Hotel Colombo në Berat, struktura akomoduese për afganët


Në Berat janë përgatitur struktura akomoduese për strehimin e refugjatëve afganë, duke e bërë kështu qytetin e tretë ku do të vendosen ata.

Sipas burimeve për Albanian Post, shtetasit afganë do të strehohen në Hotel Colombo, që ndodhet në qendër të qytetit të Beratit.

Burime brenda hotelit bëjnë me dije se po kryehen përgatitjet e fundit për të pritur ardhjen e refugjatëve.

Të gjitha masat janë marrë për sa i përket strukturave, të cilat do t’i mirëpresin afganët.

Këtu përfshihet edhe vënia në dispozicion e personelit shëndetësor dhe atë psiko-social.

Bashkia ka qenë në bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Shëndetësisë dhe mbrojtjes sociale, mbi organizimin e gjithçkaje.

Përtej këtij fakti, nuk dihet ende nëse këto struktura do të përdoren dhe në çfarë mase.

Mbërritja e afganëve në Shqipëri

Avioni i parë me afganë, pritej të mbërrinte në Shqipëri të mërkurën e 18 gushtit.

Mirëpo, për shkak të trazirave në Kabul, fluturimi nuk është bërë ende i mundur.

Tirana dhe Durrësi, do të jenë dy qytetet e tjera, të cilët do të mirëpresin emigrantët afganë.

Siç e ka bërë me dije më herët kryeministri Edi Rama, pjesë e të ardhurve do të jenë aktivistë, gra, gazetarë, arsimtarë dhe persona që kanë ndihmuar Ushtrinë e SHBA-ve, gjatë misionit në Afganistan.

Ata do të transferohen së bashku me familjet e tyre.

Ai ka pohuar po ashtu se ideja është për një strehim të përkohshëm të tyre në Shqipëri dhe Kosovë. Kjo, deri në çastin kur atyre t’u sigurohen vizat për të shkelur në SHBA.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore