Shqipëria

Beqaj refuzon pagesën, “ngujohet” në SPAK që të lexojë aktet e dosjes


Avokati mbrojtës i ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj, ka bërë me dije se Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka kërkuar që klienti i tij të paguajë 10 milionë lekë nëse do të njihet me aktet e dosjes.

Beqaj nuk ka pranuar duke gjetur një zgjidhje tjetër, ai do të rrijë gjithë ditën në SPAK për të lexuar aktet e dosjes.

“10 milionë vetëm për t’u informuar vetëm se ku qëndron akuza. Ne dhe të gjithë të akuzuarit e tjerë refuzuam që të paguajmë këtë faturë”, tha avokati.

Më herët, ish-ministri ka deklaruar se Prokuroria në 50 muaj nuk hetoi dot dy elementët kryesorë të një hetimi për Sterilizimet.

Sipas tij, të mos merresh në një hetim të tillë me detaje të tilla, do të thotë të mos e kesh kuptuar çështjen.

“Garantimin e kujdesit shëndetësor e kam pasur detyrim dhe mision”.

Ish-ministri tha se, SPAK duhet të kishte hetuar se përse nga periudha, prill 2010 deri në shtator 2013, nuk ishte vendosur në punë centrali i sterilizimit, kur ISHP kërkonte mbylljen e sallave të kirurgjisë në QSUT.

Beqaj është zyrtarisht nën akuzë nga SPAK, ndërsa tetë të pandehurve të tjerë iu komunikua akuza të premten e 15 marsit.

Pas 10 ditësh në pritje të prapësimeve, SPAK do ta dorëzojë dosjen në GJKKO me kërkesën për nisjen e gjykimit.

Beqaj i cili akuzohet për shpërdorim detyre do të jetë në bankën e të akuzuarve së bashku me ish-zëvendësin e tij në Ministrinë e Shëndetësisë Klodian Rrjepaj dhe biznesmenin Ilir Rrapaj që mori koncesionin e sterilizimit.

Ish-ministri i Shëndetësisë prej kohësh gjendet tashmë nën hetim nga Prokuroria e Posaçme SPAK, ku përtej një implikimi në çështjen e tenderit të sterilizimit, ai është nën hetim edhe lidhur me disa përgjime që e implikojnë atë drejtpërdrejt me çështje të pastrimit të parave përmes faturave fiktive.

Albanian Post e ka parë dokumentin e SPAK sa i takon këtyre hetimeve, ku kryesisht restoranti Gzona, i njohur në Tiranë, është përdorur sipas Prokurorisë nga Beqaj dhe bashkëpunëtorët e tij në këtë aferë.

Personat kryesorë të implikuar janë vetë Beqaj, edhe si ish-drejtues në Agjencinë SASPAC, Ermal Kurtulaj, njohje e hershme dhe bashkëpunëtor i ish-ministrit, si edhe Gazmend Prenga, i cili është administrator i biznesit në fushën e shërbimeve.

Fillimisht, duhet kuptuar se si Beqaj ishte në realitet “ortaku” i fshehtë në biznes.

Restoranti Gzona është në pronësi të shoqërisë tregtare Albanian Food and Hospitality dhe nga ekstrakti historik, rezulton se ortake e mëparshme në këtë biznes ka qenë edhe shtetasja Adriana Beqaj, bashkëshortja e Ilir Beqajt, në kuotën prej 50% të aksioneve.

Më 1 mars 2019, ajo i ka falur 35% të kuotave të saj një ortaku tjetër, Arti Malaj, i cili pas kësaj “dhurate” i ka ngritur kuotat e tij në 85% të gjithë kompanisë.

Adriana Beqaj ka mbetur kështu me 15% të kuotave, të cilat sërish i ka shitur më vonë tek Malaj, i cili është bërë pronar i 100% të aksioneve të kompanisë.

Më 12 gusht 2021, ai i ka shitur të gjitha kuotat te shtetasi Eduard Curri.

Ky i fundit, rezulton edhe ortak pranë disa shoqërive aksionare, ku ajo që spikat më shumë është Delta Holding, operuese në fushën e farmaceutikës dhe pjesë e hetimeve të SPAK lidhur me Beqajn, ku dyshohet se kjo kompani është favorizuar në tenderime.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore