Shqipëria

Beogradi, dyfish më shumë emigrantë profesionistë se Tirana


Serbët janë përftuesit më të mëdhenj të vizave të emigrimit profesional drejt Gjermanisë. Kjo, sipas një raporti të nxjerrë nga Informacioni mbi Zonën Schengen pranë Bashkimit Evropian.

Ambasada për të cilën lëshohen më shumë viza emigrimi për profesionistët e lirë është ajo e Beogradit. Mbi 2 mijë leje të tilla janë dhënë gjatë vitit 2020 sipas raportit. Ndërkohë për Tiranën, vetëm 778.

Sipas grafikut ilustrues, shqiptarët janë të fundit për viza të përftuara. Prishtina zyrtare merr madje më shumë se Tirana. 792 leje jepen për kosovarët, ndërsa 778 për shqiptarët.

Ndryshimi midis Tiranës dhe Beogradit bie ndesh me thirrjet e shumta të emigrimit masiv të shqiptarëve drejt vendeve të BE-së, kryesisht Gjermanisë. Një kauzë se gjithë mjekët dhe infermierët e vendit largohen drejt superfuqisë evropiane, nuk përligjet nga skema zyrtare e dhënë për 2020-ën.

Nëse do të përllogarisim edhe pjesë të tjera të rajonit, turqit, ukrainasit dhe boshnjakët janë sërish mbi shqiptarët. Rusët gjithashtu.

Statistikat janë botërore dhe bie në sy se vendi i dytë pas Serbisë në renditje, janë Filipinet. 1 mijë e 773 viza jepen në Ambasadën Gjermane në Manila. Në Vietnam jepen gjithashtu mbi 1 mijë e 300 viza.

Këto “viza profesionale” janë pjesë e procesit të Aktit mbi Emigrimin Profesional të firmosur nga vendet e BE-së. Raporti gjithsesi thekson se si rajon, Ballkani Perëndimor është ai që ka përftuar më shumë nga skema.

Pavarësisht kësaj, Tirana zyrtare mbetet e fundit në listë. Kjo mund të jetë një shenjë se shqiptarët preferojnë zgjedhjen e Shqipërisë kur janë të aftësuar për punë. Nëse e shohim në raport ndërkohë, shifrat shqiptaro-serbe janë thuajse të njëjta.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore