Lajme

Bekë Berisha: “Gabimet që bënë në veri duan t’i mbulojnë me shou mediatik, si gjithmonë”


Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla dhe Drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti duke lënë sallën ku ishin ftuar për të raportuar në Komisionin për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes

Kryetari i Komisionin për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, Bekë Berisha nuk ishte prezent në pjesë në pjesën e dytë të takimit, ku ai vet kishte ftuar për të raportuar për intervenimin në veri, Ministrin e Punëve të Brendshme Xhelal Sveçlën dhe Drejtorin e Policisë së Kosovës.

Ai lëshoi sallën ku po mbahej komisioni pasi, para tij dolën të ftuarit e tij në raportim, pas një mosmarrëveshje rreth orareve të raportimit.

“Nuk morra pjesë sepse unë i kam thirrur në orare të ndryshme, për të raportuar veç e veç, vet i kam thirrur, i kam edhe ftesat që ua kam dërguar, mund t’ua dërgoj edhe juve. Në ora 10:00 e kam thirrur Xhelal Sveçlën, në ora 11:00 Drejtorin e Policisë, Samedin Mehmetin”, tha Berisha për Albanian Post.

Sipas Berishës, për shkaqe të sigurisë dhe “praktikave të sigurisë”, ata të dy janë ftuar veç e veç në komision për të raportuar.

“Ne hetojmë zbatimin e ligjit nga institucionet e sigurisë”, ka shpjeguar Berisha.

Përtej kësaj ai ka thënë se “është konflikt me qenë edhe drejtuesi politik edhe zbatuesi vartës në të njëjtin takim”.

“Por ata erdhën bashkë, nuk dhanë arsye”, vazhdoi më tej Berisha.

“Veç me bo improvizimin që e bënë”, shtoi më tej Berisha duke shtuar se kjo u bë me qëllim, “sepse kanë bërë gabime të mëdha shumë, ka shumë vërejtje, rreth intervenimit në veri”, ka deklaruar Berisha për Albanian Post.

“Prandaj ata deshën që të raportojnë vetëm para deputetëve të pozitës”.

Kryetari i Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, Bekë Berisha nuk pranoi të tregoj “gabimet që ka bërë Qeveria dhe Policia gjatë intervenimit në Veri”, për implementimin e masës së reciprocitetit për tabelat e automjeteve, por tha se nuk do të lejojnë që “këto gabime” të kalohen në heshtje.

“Gabimet do ti paraqesin në interpelancë”, tregoi Berisha.

“Tani janë zgjedhjet edhe katër ditë dhe nuk duam të bëjmë zhurmë, por do ti thërrasim shumë shpejt në interpelancë, pas zgjedhjeve”.

“Do ta thërrasim Ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçlën në interpelancë në Kuvend”, specifikoi Berisha.

Pas tensioneve dhe raportimit, për gazetarë ka folur Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Svecla.

Ai tha se arsyeja pse e morri Drejtorin e Policisë me vete në Komision për të raportuar, ishte për shkak të rëndësisë së raportimit dhe diskutimit që pritej të bëhej në Komision.

“Kur unë ftohem të raportoj për një çështje unë marr ekipin tim me vete”.

“Nuk jam unë individ i vetëm as zyrtar jam një përfaqësues i një institucioni ekstrem të rëndësishëm për Kosovën por tema është e rëndësishme prandaj unë marr secilin zyrtar brenda ministrisë”, ka shpjeguar Sveçla.

“Absolutisht duke përfshirë edhe drejtorin e Policisë”.

“Jo vetëm drejtorin por e cilësoj ekip edhe të gjithë drejtorët e Agjencisë për Regjistrim Civil edhe Agjencisë së forenzikës por edhe të tjerë”, përfundoi Sveçla.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore