Lajme

“Bëjmë lajme me porosi” – PSD me aksion simbolik para RTK-së


Aksioni i PSD-së

Partia Socialdemokrate, të martën, ka realizuar një aksion simbolik përpara ndërtesës së Radio Televizionit të Kosovës, RTK, pasi ky medium të shtunën raportoi se ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, ka pasur një plan-atentat në Shkup, raportim ky i cili u mohua në mënyrë kategorike nga Ministria e Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut.

Përmes një pankarte të vendosur në një nga muret që rrethon RKT-në, pankartë kjo e cila përmban mbishkrime si “Bëjmë lajme me porosi”, “atentate”, “plane për eliminim”, “kërcënime dhe sulme”, zyrtarët e kësaj partia kanë shprehur indinjatën e tyre me keq-informimin nga ana e një transmetuesi publik.

Sipas PSD-së lajm i rremë është manipulim i opinionit publik.

“Kur ‘fake news’ bën qeveria përmes televizionit publik RTK, ai shndërrohet në rrezik për demokracinë prandaj duhet të shqetësohemi të gjithë dhe të kërkojmë përgjegjësi”.

RTK raportoi për një plan për atentat ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, të premten mbrëma në Shkup.

Sipas RTK-së, burime të besueshme nga institucione të sigurisë në Kosovë, kanë thënë se menjëherë pas mbledhjes së KS të OKB-së, kanë siguruar të dhëna se nga Serbia ka përpjekje për vrasjen e kryeministrit Kurtit në Shkup, ku ka qëndruar mbrëmë.

Sipas RTK-së vlerësimet për kërcënimin e jetës së Kurtit kanë qenë serioze, veçmas duke marrë parasysh se ato kanë ardhur nga disa burime të informacionit.

“Ka qenë një kombinacion operativ serb, ku janë gërshetuar mashtrimet mediale me veprimet në terren nga atentatorë të mundshëm të ekstremit serbo-maqedonas, të afërt me Federatën Ruse, por nën kontrollin e institucioneve serbe”, ka thënë burimi për RTK-në.

Lidhur me këto raportime është deklaruar edhe Kurti.

Sipas tij nga organet e sigurisë ka mësuar se ka shumë kërcënime në drejtim të tij nga individë e struktura, të cilët, sipas tij, kanë rrënjët e tyre në Serbi, kur është pyetur për raportimet se ka pasur një tentim atentat ndaj tij.

“Unë kam mësuar që ka shumë kërcënime nga individë e struktura të cilët i kanë rrënjët e tyre në Beogradin zyrtar”, ka thënë ai.

Kurti ka bërë të ditur se ka parë forca të shumta policore në Shkup gjatë mbledhjes që pati me partitë simotra të socialistëve.

“Mirëpo unë porsa erdha nga Shkupi, nuk jam ndjerë i rrezikuar veçse kam parë që kishte shumë forca policore të cilët u kujdesën për këtë mbledhje që e mbajtëm në Shkup me Partitë Socialdemokrate”.

Në anën tjetër Ministria e Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut ka mohuar në mënyrë kategorike raportimet se në Shkup ka pasur përgatitje për një atentat ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit.

“Ju njoftojmë se gjatë vizitës së Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në Shkup, nuk ka pasur asnjë tentim për vrasjen e tij. Sa i përket sigurisë gjatë vizitës së kryeministrit Kurti, ajo është e organizuar sipas rregullave të paracaktuara dhe vlerësimeve të sigurisë”, thuhet në komunikatën për media e lëshuar nga ana e MPB-së maqedonase.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore