Shqipëria

Bejko pas humbjes: U sabotua fushata, askush nuk fitonte dot me këto kushte


Roland Bejko, ish-kandidati i Partisë Demokratike në zgjedhjet vendore të 14 majit, ka folur pas humbjes.

Ai është shprehur se në kushtet ku u gjend ai dhe partia, askush nuk mund të dilte për të fituar.

Po ashtu Bejko ka treguar se gjatë fushatës pati degë në Tiranë ku nuk u ftua dhe nuk pati asnjë aktivitet, gjë që sipas tij ishte sabotim total i garës elektorale.

Sipas tij, në këtë situatë “dukej sikur shkelte mbi gjarpërinj”, ndërsa ka shtuar se asgjë nuk ishte siç dukej brenda kampit blu.

“Nuk pretendoj për kryetar partie. Pati degë në Tiranë ku nuk u ftova fare dhe nuk patëm aktivitete. Mu sabotua fushata totalisht, nuk pati takime. Alibeaj ishte në këtë lloj stresi. Aty është një situatë ku më dukej sikur shkelja mbi gjarpërinj. Asgjë nuk ishte ashtu si dukej”, ka thënë ai.

“Pata një mbështetje nga ish-drejtues të lartë të PD-së ndër vite, pata mbështetje nga bota akademike”, ka thënë Bejko ndër të tjera.

Sipas tij, kushdo që të dilte në këto kushte nuk fitonte dot.

“Ndoshta do merrnin më shumë se unë, por synimi im ishte të mbaja ndezur flakën e PD-së për të mos kaluar te Berisha dhe të bëja partinë time që ishte memece dhe t’i jepja një zë. Rasti më i mirë për këtë ishte fushata dhe në një muaj kompensova një  vit ku nuk u fol”.

Alibeaj, për të, bëri shumë mirë që dha dorëheqjen, bëri diçka të mençur.

“Nëse do qëndronte do shtyheshin zgjedhjet brenda partisë. Largimi i tij këtë e bën të nevojshme. Berisha humbi dhe kjo nuk diskutohet. Berisha është kundërshtari im ashtu si Rama dhe Meta”, ka vijuar ai.

“Është berishizmi në mes, unë jam i deklaruar. Dua që ai të largohet pasi nuk ka asnjë shans që të sjellë PD-në në pushtet”, ka theksuar Bejko.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore