Lajme

Bega: Nuk tërhiqen para nga Fondi i Pensioneve ‘sa herë që dikujt i bie ndërmend’, Kurti të bëjë zgjidhje


Erton Bega, njohës i çështjeve ekonomike

“A duhet të tërhiqen para nga Fondi i Kursimeve Pensionale apo jo?”, është tema më e diskutuar javëve të fundit në Kosovë.

Dikush arsyeton tërheqjen duke aluduar në tejkalim të krizës ekonomike që ka kapluar Kosovën, njëjtë si shumë vende të botë, dhe të tjerë që shpjegojnë se tërheqja nga Fondi i Kursimeve Pensionale është e dëmshëm.

Ky është fond i kursimeve të detyrueshme individuale për të siguruar pleqëri më të dinjitetshme për kontribuuesit pas penzionimit dhe tërheqja e shpeshtë e parave nga ky burim financiar, “sa herë që dikujt i bie ndërmend”, do të bënte që vetë fondi të humbas kuptimin e tij, thotë Erton Bega, njohës i çështjeve ekonomike, në një prononcim për Albanian Post.

“Nëse vazhdohet me këso propozimesh të cilat i vlerësoj populiste, atëherë më të lehtë do ta kishim ta heqim krejt kursimin individual për pleqëri, t’ua kthejmë fondet secilit qytetarë dhe në këtë formë do të krijonim barrë për gjeneratat e ardhshme që të mbajmë penzionistët vetëm me asistencë sociale, duke mbjellur varfëri për të ardhmen”.

Kjo nuk është e shëndetshme as për njerëzit individualisht e as për shoqërinë, theksoi Bega, “por politikanët dhe partitë politike po shpërdorojnë hallet e qytetarëve me propozime populiste duke tentuar të dëmtojnë të ardhmen përmes masave afatshkurtra që nuk zgjidhin asgjë por kanë prapavijë elektorale”.

Problemi i inflacionit dhe dalja nga kriza aktuale ekonomike, sipas këndvështrimit të një ekonomisti, siç është Bega, duhet të bëhet duke krijuar masa fiskale të përkohshme të përdorshme.

“Përmes uljes apo heqjes së akcizës, uljes apo heqjes së TVSH-së, indeksimit të pagesave sociale, indeksimit të pagave, dhe masa tjera të përkohshme në produkte strategjike që janë esenciale për konsumin dhe funksionimin e zingjirit furnizues”.

Tërheqja e parave nga Fondi i Kursimeve Pensionale vërtetë do të shtonte qarkullimin e parasë në treg por kjo mund të jetë e dëmshme, sipas Begës.

“Do të stimulonte rritjen e çmimeve edhe më shumë sepse do të ndikonte drejtpërdrejt në rritjen e kërkesës agregate për mallra dhe shërbime. Rritja e kërkesës automatikisht do të rriste çmimet dhe kjo do të ndikonte edhe më tej në zhvlerësimin e parasë, pra do të sillte efekt të kundërt në ekonomi”, theksoi Bega për AP.

Koha aktuale kur po kërkohet tërheqja e parave nga ky fond krahasuar me vitin 2020 kur u aprovua tërheqja e 10% nga trusti, nuk kanë rrethana të njëjta në ekonomi.

“Atëherë ballafaqoheshim me rënie të konsumit dhe mungesë të qarkullimit të parasë si pasojë e frikës nga të panjohurat e pandemisë dhe ekonomia duhet të injektohej me mjete shtesë për të rikthyer besimin dhe për të nxitur konsumin dhe zhvillimin e vendit”.

Bega e arsyeton nevojën e qytetarëve për të tërhequr paratë e gatshme nga Fondi Pensional për shkak të rritjes së çmimeve gati në çdo produkt, por në vend të këtij veprimi ai sugjeron institucionet e vendit që të ndërmarrin hapa të tjerë ligjorë.

“Rendi shoqëror bazohet në ligje dhe shteti duhet të gjejë forma alternative zhvillimore që të ballafaqohet me këtë krizë e jo t’i lë qytetarët në hall e të cilët kur ndihen të pa përkrahur e të vetmuar, zgjidhjen e momentit e shohin te kursimet e tyre të pleqërisë”, ka përfunduar Bega.

Kundër tërheqjes së 30% të mjeteve nga Fondi i Pensioneve është edhe vetë Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili këtë të hënë u deklarua se tërheqja e këtyre parave nuk është zgjidhje.

Javën e kaluar Qeveria e Kosovës morri vendim për të ndarë nga 100 euro për pensionistët, qytetarët të cilët janë në skema sociale, studentët dhe të punësuarit në sektorin publik dhe privat, por nuk ndau asnjë qindarkë për të papunët.

Edhe këtë veprim të Qeverië Kurti, Erton Bega e kishte kritikuar.

“Shteti po sjellët për dikë nënë e për dikë njerkë, por nuk ka mjaftueshëm para për të blerë pakënaqësinë qytetare nga kriza e çmimeve”, kishte shkruar Bega në Facebook.

Ndër të tjera Bega kishte thënë se ky vendim i Qeverisë ndihmon 800 mijë qytetarë, por përjashton 1 milion të tjerë, duke e quajtur keq menaxhim të parasë publike.

“Veç e merr rolin e babadimrit dhe shpërndan taksat dhe tatimet si dhurata me kritere të padrejta, diferencuese dhe diskriminuese. 100 euro për atë që e ka pagën 200 euro dhe 100 euro për atë që e ka pagën 1,000 euro. Tamam shtet social po duket”, kishte reaguar Bega.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore