Financa

BE paralajmëron Iranin se po rrezikon marrëveshjen bërthamore


Bashkimi Evropian (BE) ka paralajmëruar Iranin se po rrezikon marrëveshjen bërthamore të arritur mes palëve në 2015, të quajtur Plani i Përbashkët Gjithëpërfshirës i Veprimit (JCPOA) .

Irani ka kerkuar te filloje prodhimin e uraniumit ne 20%.

Në 2018, me vendim të presidentit, Donald Trump, Shtetet e Bashkuara të Amerikës u tërhoqën nga JCPOA. BE-ja ka bërë përpjekje të vazhdueshme diplomatike për të rikthyer SHBA-në në këtë marrëveshje.

Javën e kaluar, Irani ka kërkuar të fillojë prodhimin e uraniumit në 20%, kur në bazë të marrëveshjes, JCPOA, pastërtia e uraniumit të prodhuar në Iran, nuk mund të jetë më shumë se 4.68%.

Irani ka argumentuar se nuk është më i detyruar të respektojë kufinjtë e përcaktuar në paktin e nënshkruar mes palëve.

Argumenti i Iranit qëndron në faktin se ishin SHBA të parët që  shkelën paktin duke u tërhequr nga marrëveshja në 2018.

Tërheqja e SHBA-së nga pakti u pasua me sanksione të vendosura ndaj Iranit.

Marrëveshja JCPOA i ofronte Iranit stimuj ekonomikë në këmbim të ndalimit të programit të tij bërthamor.

Kina, Franca, Gjermania, Rusia dhe Britania e Madhe si shtete pjesëmarrëse në pakt, janë përpjekur t’i sigurojnë Iranit ndihmën ekonomike të parashikuar sipas paktit.

Presidenti i zgjedhur, Joe Biden, ka thënë se do të kthejë SHBA-në në marrëveshje, e cila u negociua kur ai ishte zëvëndëspresident.

BE-ja i ka bërë Iranit thirrje për qetësi dhe për kujdes ndaj një përshkallëzim të mëtejshëm të situatës./AlbanianPost.com

 

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore