Pajisje

BE/ Microsoft-i përballet me një ankesë për shërbimet cloud


Kompania Microsoft po përballet me një ankesë antitrust të paraqitur nga tre rivalë evropianë në biznesin e lulëzuar cloud.

E depozituar te mbikëqyrësi i konkurrencës në Bashkimin Evropian, ankesa pretendon se praktikat e Microsoft-it e bëjnë të kushtueshme dhe të vështirë për përdoruesit e shërbimeve të tij kompjuterike cloud që të zgjedhin ato të një konkurrenti.

OVHcloud, ofruesi francez i shërbimeve kompjuterike cloud, ka konfirmuar në një deklaratë se i është bashkuar ankesës kundër Microsoft-it.

Sakaq, zëdhënësi i kompanisë nuk ka pranuar të zbulojë emrat e dy paditësve të tjerë evropianë.

“Përmes abuzimit me pozicionin e tij dominues, Microsoft-i minon konkurrencën e ndershme dhe kufizon zgjedhjen e konsumatorëve në tregun e shërbimeve cloud”, ka thënë OVHcloud.

Nga ana tjetër, Komisioni Evropian ka konfirmuar marrjen e ankesës, por pa dhënë detaje të mëtejshme.

“Po vlerësojmë vazhdimisht se si mund të mbështesim më së miri partnerët dhe ta bëjmë software-in Microsoft të disponueshëm për klientët në të gjitha mjediset”, ka thënë një zëdhënës i Microsoft-it.

Dhe këtë do ta realizonte duke përfshirë software-t e ofruesve të tjerë të cloud-it.

 

Marrë nga “Reuters”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore