Lajme

BE-ja konfirmon se edhe ajo ka probleme në komunikimin me Kurtin


Peter Stano

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka thënë se qëndrimet e Unionit në raport me Kosovën, përkatësisht me ekzekutivin aktual, janë pothuajse identike me ato të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Këto komente, Stano i bëri në një konferencë për media nga Brukseli, një ditë pasi që i Dërguari Special i ShBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha se shteti që ai përfaqëson, BE dhe Mbretëria e Bashkuar kanë probleme në komunikim me kryeministrin Albin Kurtin.

“E them në përgjithësi, kur bëhet fjalë për Kosovën, e sjelljen e administratës aktuale në Prishtinë, pikëpamjet tona me partnerët amerikanë përputhen gati qind për qind”, deklaroi Stano.

Ndryshe, në një konferencë për media të martën, Esocbar ka pranuar se ShBA-të kanë probleme në komunikim me kryeministrin Kurtin.

“Partneriteti mes SHBA-së dhe Kosovës është mes popujve të Kosovës dhe SHBA-së. Nuk shkon prej një njeriu, ose një pale. Por, duhet të them, aktualisht ne kemi një problem me komunikimin me kryeministrin”.

Probleme në komunikim me Kurtin, sipas Escobar, nuk kanë vetëm Amerikanët, por edhe pjesa tjetër e botës perëndimore.

“Këtë problem Kosova e ka edhe me BE-në, me NATO-n, me Britaninë e Madhe. Edhe me partnerë të tjerë, Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut. Kemi pasur një partneritet shumë të afërt me Kosovën në të kaluarën, ne duam ta kemi këtë lidhje edhe tani siç ishte në të kaluarën”.

I pyetur pse ende nuk është dërguar draft-statuti i Asociacionit për shqyrtim në Gjykatën Kushteteuse, Escobar ka potencuar se në këtë fazë është vështirë të kuptohet arsyeja.

“Ne inkurajojmë Kosovën të ecë para, Asociacioni nuk do të jetë një Republikë Srpska, nuk ka shtet brenda shteti, nuk ka asgjë në statut që lejon një autoritet ekzekutiv, ose fuqi ekzekutive. Kemi dëgjuar shumë arsye pse s’është dërguar në Kushtetuese, apo ecur përpara, por ne i refuzojmë të gjitha, duhet të ecë përpara sa më parë”, ka pohuar ai.

Top-diplomati amerikan ndër të tjera ka potencuar se me formimin e Asociacionit do të zgjidhej edhe çështja e valutës shtetërore serbe, Dinari.

Escobar te Kurti për “shpëtimin” e marrëdhënieve të Kosovës me Perëndimin

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore