Lajme

BE: Institucionet në Kosovë të përmirësojnë reagimet ndaj sulmeve që u bëhen mediave


Tomas Szunyog

Për ambasadorin e Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, mediat në Kosovë duhet të jenë të lira, pluraliste dhe profesionale duke gëzuar sigurinë dhe lirinë e palëkundur të shprehjes në atë mënyrë që të ofrojnë raportim të besueshëm dhe të balancuara.

Szunyog në letrën e tij, për nder të Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit, ka shprehur shqetësimin e tij në lidhje me fushatat e shpifjeve publike, kërcënimeve dhe sulmeve fizike ndaj gazetarëve.

“Çdo sulm ndaj gazetarëve, qoftë ai online, verbal apo fizik, është i mjerueshëm dhe duhet dënuar”, ka shkruar Szunyog.

Ai më tej ka bërë thirrje institucioneve përgjegjëse që të përmirësojnë reagimet ndaj sulmeve dhe formave të tjera të presionit ndaj mediave.

Sipas shefi të zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, mungesa e vetëqëndrueshmërisë financiare të mediave në Kosovë u përkeqësua edhe më tej nga pandemia COVID-19, duke e lënë ata të pambrojtur ndaj interesave politike dhe të biznesit, ndërkohë që ende nuk është gjetur një zgjidhje e qëndrueshme për financimin e transmetuesit publik.

Ndryshe, në raportin vjetor të Departamentit Amerikan të Shtetit, në pjesën për lirin e shprehjes, përfshirë edhe lirinë e mediave, ishte dhënë kërcënimi i deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi, që i kishte bërë Albanin Post-it, rreth publikimit të një lajmi ku mbulohej caktimi i ambasadorëve nga Qeveria e Kosovës.

Shembulli me kërcënimin që Abazi i kishte bërë AP-së është dhënë për të ilustruar se si në Kosovë ka ende pengesa për mediat e pavarura dhe tendeca të interferimit të pushtetit.

Përkundër se në raport thuhet se “mediat e pavarura ishin aktive dhe kanë shprehur një gamë të gjerë pikëpamjesh, kryesisht pa restriksione, raportet thonë se zyrtarë të qeverisë, disa parti politike, biznese të lidhura me qeverinë, grupe religjioze, dhe individ të caktuar kanë bërë presion të pronarë mediash, editorë individualë, dhe reporterë të caktuar që të mos publikojnë storie të caktuara ose materiale të caktuara”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore