Shqipëria

“Bashkimi Evropian e ka marrë peng Kosovën”


“Bashkimi Evropian e ka marrë peng Kosovën. Peng është Kosova, e një loje shahu, ku një nga figurat e lojës, ka vendosur që atë ushtar ta mbajë peng”.

Ka qenë kjo deklarata e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, në një konferencë për shtyp të përbashkët me ministrin gjerman për Evropën, Michael Roth, ku ndër të tjera, lëvizja e lirë e qytetarëve shqiptarë në hapësirën e unionit ka qenë temë diskutimi.

Sipas Ramës, Bashkimi Evropian është tempulli i demokracisë dhe i politikës. Vetë politika është një lojë shahu dhe lojë pengjesh.

“Një nga pengjet e BE-së”, argumentoi kryeministri, “është Kosova!”.

Kjo për të, jo si pasojë e një vendimi unional, por sepse kështu kërkon një nga figurat e shahut evropian.

“Shqiptarët në Kosovë nuk lëvizin më lirisht. Jo sepse kështu do gjithë Bashkimi Evropian, por sepse një nga figurat e shahut, ka thënë: ‘Jo! Ai ushtari atje në diagonale nuk duhet të lëvizë’. E turpshme, por nuk ke çfarë bën”, cilësoi Rama.

Ky qëndrim i kryeministrit erdhi pasi u pyet mbi lëvizjen e shqiptarëve të vaksinuar me dozat Lindore në hapësirën e BE-së.

Për të, lëvizja e lirë e shqiptarëve është e garantuar prej vitesh dhe nuk mund të fragmentarizohet nga vaksinat.

“BE-ja s’duhet të marrë peng askënd në këtë rajon për shkak të vaksinës. Nuk ka pse paguhet testi për në BE kur ke bërë vaksinën. Nuk e kam fjalën vetëm për shqiptarët e Shqipërisë. E kam fjalën edhe maqedonasit, malazezët, boshnjakët, gjithë Ballkanin”, përmbylli kryeministri.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore