Shqipëria

Basha publikon rezolutën e miratuar: Më 18 dhjetor zgjedhim të ardhmen


Në të njëjtën kohë kur u publikua njoftimi i Komisionit të Rithemelimit të Partisë Demokratike, ishte kryedemokrati Lulzim Basha i cili postoi në Twitter rezolutën e miratuar nga Këshilli Kombëtar i PD-së.

Ai u kujtoi të gjithë demokratëve se më datë 18 dhjetor, “ne do të zgjedhim të ardhmen, në mbrojtje të vlerave të shenjta të Partisë Demokratike dhe për ta shndërruar atë në forcën qeverisëse që shqiptarët meritojnë”.

“Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike foli qartë. Edhe më qartë do të flasë Kuvendi Kombëtar më 18 dhjetor”, shkruan Basha ndër të tjera

Shkarkimi nga funksioni

Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike, i thirrur të dielën e 12 dhjetorit nga Kryesia, miratoi me 251 vota pro shkarkimin e anëtarëve të kryesisë së PD-së.

Kjo masë do të përjashtojë nga funksioni Kryetarin e Këshillit Kombëtar, Edi Paloka dhe anëtarët e Kryesisë: Flamur Noka, Aldo Bumçi, Gent Strazimiri, Albana Vokshi dhe Oerd Bylykbashi.

Ndër të tjera, shkarkimi nga funksioni përfshin edhe sekretarët Ervin Minarolli, Ivi Kaso, Belind Këlliçi dhe Ledina Mandia.

Nga 257 fletë votimi gjithsej të shpallura, katër vota kanë qenë kundër, ndërsa dy janë konsideruar si të pavlefshme.

“Ka qenë zotimi im i parë si kryetar i PD, që s’do të ketë kurrë përjashtim të propozuar nga unë. As unë e as ju nuk mbajmë njerëz me forcë. Masat e marra mbrëmë nga Kryesia dhe masat e propozuara sot, nuk janë masa përjashtimi, por shkarkim nga funksionet për shkak të dhunimit flagrant të statutit me pasoja për PD”.

Kështu do të shprehej më herët Basha gjatë mbledhjes së Këshillit Kombëtar.

Rezoluta

Më herët, ishte Kryesia, e cila miratoi unanimisht një rezolutë.

Kjo e fundit u propozua nga vetë kreu i PD-së, Lulzim Basha, një ditë pas mbajtjes së Kuvendit Kombëtar të thirrur nga ish-lideri Sali Berisha për shkarkimin e Bashës.

Rezoluta e miratuar të dielën e ka shpallur Kuvendin e Berishës nul dhe të gjitha vendimet e tjera të ndërmarra prej saj.

Ndërsa ka shpallur se i vetmi Kuvend Kombëtar i ligjshëm do të jetë ai i datës 18 dhjetor.

Ndër të tjera lëvizjen e Berishës dhe tubimin e djeshëm e ka cilësuar si anti-amerikane.

Berisha
Ish-lideri i demokratëve Sali Berisha pas mbajtjes së Kuvendit Kombëtar më 11 dhjetor 2021.

“Lëvizja Berisha dhe tubimi i djeshëm si finalizim i saj janë një përpjekje për të deligjitimuar institucionet e Partisë Demokratike deri në shpërbërjen e saj si forca më pro-perëndimore në vend, duke synuar shndërrimin e saj në një bunker për mbrojtjen e interesave personale të Sali Berishës përballë SHBA-ve”, thuhej në rezolutë.

Më tej kjo rezolutë theksonte se, “kjo është lëvizja e parë anti-amerikane në historinë e tri dekadave të sistemit demokratik dhe e dyta në historinë e Shqipërisë pas asaj të Enver Hoxhës”.

Në përfundim Këshilli Kombëtar i PD-së ka shprehur luftën e saj kundër korrupsionit dhe pandëshkueshmërisë.

Lëvizja e Bashës erdhi pasi Kuvendi i thirrur nga ish-lideri demokrat, shkarkoi me 4 mijë e 446 vota pro kryedemokratin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore