Shqipëria

‘Dhunuan statutin’, Basha: Masat ndaj anëtarëve jo përjashtuese, por shkarkim nga funksionet


“Ka qenë zotimi im i parë si kryetar i PD, që s’do të ketë kurrë përjashtim të propozuar nga unë. As unë e as ju nuk mbajmë njerëz me forcë. Masat e marra mbrëmë nga Kryesia dhe masat e propozuara sot, nuk janë masa përjashtimi, por shkarkim nga funksionet për shkak të dhunimit flagrant të statutit me pasoja për PD”.

Kështu është shprehur kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha gjatë mbledhjes së Këshillit Kombëtar, i thirrur të dielën e 12 dhjetorit nga Kryesia një ditë pas mbajtjes së Kuvendit Kombëtar të thirrur nga ish-lideri, Sali Berisha për shkarkimin e Bashës.

Gjithashtu, gjatë mbledhjes të ditët sotme Këshilli miratoi unanimisht një rezolutë.

Kjo rezolutë e ka shpallur Kuvendin e Berishës nul dhe të gjitha vendimet e tjera të ndërmarra prej saj.

Ndërsa ka shpallur se i vetmi Kuvend Kombëtar i ligjshëm do të jetë ai i datës 18 dhjetor. Ndër të tjera lëvizjen e Berishës dhe tubimin e djeshëm e ka cilësuar si anti-amerikane.

Nëpërmjet një mesazhi Basha theksoi se “PD nuk do të mbahet peng dhe nuk do të tërhiqet zvarrë nga askush”.

“Askush, përfshirë Sali Berishën, nuk do të ketë shansin të kërcënojë demokratët në shtëpinë e tyre”.

PD, sipas kryedemokratit u themelua si shtëpia e lirisë, nuk do të shndërrohet në bunker për askënd, as sot as kurrë.

“Ne do vazhdojmë të çliruar dhe të vendosur në betejën tonë kundër regjimit të Edi Ramës për ta sjellë në pushtet Partinë Demokratike”.

Kjo lëvizje e Bashës erdhi pasi Kuvendi i thirrur nga ish-lideri demokrat, shkarkoi me 4 mijë e 446 vota pro kryedemokratin.

Kjo u konfirmua nga kryetari i komisionit të përkohshëm i Kuvendit Kombëtar të PD-së, Belind Këlliçi.

Gjatë ditës djeshme, në përmbyllje të takimit të Kryesisë së Partisë Demokratike, Basha, theksoi se partia do të lërë pas pjesët e hidhura të së shkuarës së saj, “bashkë me mbeturinat e komunizmit dhe të korrupsionit”.

11 dhjetori

Gjatë së shtunës, nga piedestali i ngritur në stadiumin “Air Albania”, ish-kryeministri Sali Berisha deklaroi se de jure, rithemelimi i PD-së, u bë realitet.

Sipas tij, qëllimi i vërtetë i Kuvendit, është shndërrimi i PD-së, në partinë e idealeve më fisnike të shqiptarëve.

“Në partinë e vlerave konservatore të lira. Në partinë e interesit kombëtar. Në partinë e integrimit euroatlantik. Por, mbi të gjitha, në partinë e qytetarit, të anëtarit, të forcës politike që nesër në pushtet, do të ketë në qendër qytetarin shqiptar”.

Nga ana tjetër, Basha në një ditë aspak të zakontë për forcën e parë politike pluraliste në Shqipëri, inauguroi një instalacion në ambientet e jashtme të selisë blu, ku të gdhendura ishin firmat e nënshkruesve të themelimit të PD-së, 31 vjet më parë.

Njëkohësisht me mbajtjen e Kuvendit Kombëtar nga Sali Berisha, për shkarkimin e Bashës, kryedemokrati zgjodhi këtë mënyrë, për të kremtuar datëlindjen e PD-së.

11 dhjetori i sotëm sipas Bashës, është një ditëlindje e thyer. Kjo, për shkak të vendosjes së interesit personal, mbi atë demokrat. Por, sipas tij, jo çdo ditëlindje mund të jetë e lumtur.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore