Shqipëria

Basha: PD-ja do të lërë pas mbeturinat e komunizmit dhe të korrupsionit


Në përmbyllje të takimit të Kryesisë së Partisë Demokratike, kryetari i PD-së, Lulzim Basha, theksoi se partia do të lërë pas pjesët e hidhura të së shkuarës së saj, “bashkë me mbeturinat e komunizmit dhe të korrupsionit”.

“11 dhjetori nuk ishte kuvend por një manifest personal i ish-liderit demokrat, Sali Berisha kundër Shteteve të Bashkuara”, nënvizoi në vijim të fjalës së tij Basha.

Kryedemokrati deklaroi fillimisht se Kryesia vendosi thirrjen e një mbledhjeje të jashtëzakonshme të Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike më 12 dhjetor, ora 15:00.

Lidhur me shkarkimin e kryetarëve të degëve që morën pjesë në kuvendin e 11 dhjetorit të thirrur nga ish-lideri demokrat, ai sqaroi se kryesia ka filluar verifikimet.

Më tej, ai shtoi se institucionet e PD-së, nga Këshilli Kombëtar deri te Kryesia dhe Kryetari vijojnë të jenë në funksion të demokratëve dhe të gjithë shqiptarëve.

Sakaq, sipas tij pritet që 18 dhjetori të jetë kuvendi ku do të merren vendime të rëndësishme për të ardhmen e partisë, jo të një personi.

Rendi i mbledhjes së Këshillit Kombëtar parashikon fillimisht miratimin e një Rezolute lidhur me situatën e jashtëzakonshme të krijuar nga veprimtaria antistatutore që dëmtojnë rëndë interesat politike dhe elektorale të PD.

Së dyti, Këshilli Kombëtar pritet të miratojë propozimin e Kryesisë për shkarkimin e Kryetarit të Këshillit Kombëtar dhe disa nanëtarëve të Kryesisë për shkelje të rënda të Statutit të PD dhe vendimit të Kryesisë të datës 15 Nëntor.

Masat

Masat e para të kryedemokratit Lulzim Basha, janë mbledhja e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike më 12 dhjetor dhe shkarkimi i 11 kryetarëve të degëve.

Këta të fundit, sipas Bashës, refuzuan të zbatojnë vendimin e kryesisë për thirrjen e Kuvendit Kombëtar më 18 dhjetor.

Ndër të tjera, zbulohet edhe parashtrimi i një rezolute gjatë mbledhjes së Këshillit Kombëtar.

Kjo, për çështje si ndjekja e vlerave properëndimore, pro-NATO dhe Shteteve të Bashkuara.

Ndërkaq, një ndër aspektet pritet të jetë edhe qëndrimi ndaj disa anëtareve te saj për shkeljen e Statutit.

Kujtojmë që më herët ishte kuvendi i thirrur nga ish-lideri demokrat, i cili shkarkoi me 4 mijë e 446 vota pro kryedemokratin Basha.

Kjo u konfirmua nga kryetari i komisionit të përkohshëm i Kuvendit Kombëtar të PD-së – i thirrur nga Berisha për shkarkimin e Bashës – Belind Këlliçi.

11 dhjetori

Gjatë së shtunës, nga piedestali i ngritur në stadiumin “Air Albania”, ish-kryeministri Sali Berisha deklaroi se de jure, rithemelimi i PD-së, u bë realitet.

Sipas tij, qëllimi i vërtetë i Kuvendit, është shndërrimi i PD-së, në partinë e idealeve më fisnike të shqiptarëve.

“Në partinë e vlerave konservatore të lira. Në partinë e interesit kombëtar. Në partinë e integrimit euroatlantik. Por, mbi të gjitha, në partinë e qytetarit, të anëtarit, të forcës politike që nesër në pushtet, do të ketë në qendër qytetarin shqiptar”.

Nga ana tjetër, Basha në një ditë aspak të zakontë për forcën e parë politike pluraliste në Shqipëri, inauguroi një instalacion në ambientet e jashtme të selisë blu, ku të gdhendura ishin firmat e nënshkruesve të themelimit të PD-së, 31 vjet më parë.

Njëkohësisht me mbajtjen e Kuvendit Kombëtar nga Sali Berisha, për shkarkimin e Bashës, kryedemokrati zgjodhi këtë mënyrë, për të kremtuar datëlindjen e PD-së.

11 dhjetori i sotëm sipas Bashës, është një ditëlindje e thyer. Kjo, për shkak të vendosjes së interesit personal, mbi atë demokrat. Por, sipas tij, jo çdo ditëlindje mund të jetë e lumtur.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore