Shqipëria

Basha prezanton programin për mirëqenien sociale


Kryetari i Partisë Demokratike (PD), Lulzim Basha, ka premtuar se do të rrisë pensionet për 650 mijë pensionistë, dy herë më shumë se norma e inflacionit dhe të paktën 5% në vit, gjatë prezantimit të programit për mirëqenien sociale.

Gjithashtu Basha është angazhuar se do të dyfishojë asistencën ekonomike për gjithë familjet në nevojë.

“Njerëzit me aftësi të kufizuara do të jenë pjesë reale e vendimmarrjes së qeverisjes sonë. Ata do të jenë pjesë e këshillimeve dhe vendimeve mbi hartimin dhe zbatimin e reformave sociale”, është shprehur ai.

Basha ka premtuar gjithashtu subvencionim të plotë të interesave për kredi për shtëpi, për 20 mijë familje dhe çifte të reja.

“Ne do të paguajmë 100% të interesave bankare, për çdo kredi që një çift i ri apo një familje e re merr për të blerë një banesë”, ka deklaruar Basha.

Ai nuk ka lënë pa përmendur dhe bonuset për të sapolindurit. Ai zotohet se çdo familje do të përfitojë për çdo të porsalindur një pagesë mujor prej 3 mijë lekësh të reja, për 5 vitet e para të jetës.

Sipas tij, ky është një plan stabilizimi, normalizimi dhe rimëkëmbjeje dhe kanë  ndihmuar specialistët dhe ekspertët më të mirë të fushës në hartimin e tij

Shtrirje më e gjërë e statusit të jetimit.

Ndërsa, anëtari i Këshillit Kombëtar të PD-ës, Kastriot Sulko, ka deklaruar se mbështetja për familjet në nevojë do të koordinohet me “objektivin realist” të krijimit të 110 mijë vendeve të reja të punës.

“Po ashtu ulja e taksës së punës nga 24.5% që janë aktualisht kontributet e sigurimeve shoqërore, në 18%, do të ndikojë në zvogëlimin e informalitetit”, shprehet ai.

Sipas Sulkos, PD-ja angazhohet për “një shtrirje më të gjerë” të statusit të jetimit edhe për fëmijët që kanë humbur njërin nga prindërit duke bërë edhe kategorizimin përkatës të mbështetjes për këtë grup. Ku përfshihen strehimi, ndihma ekonomike, lehtësitë për arsimimin, tekste shkollore, bursa për studentet, pagesa për konviktet, apo facilitet në transportin urban.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore