Shqipëria

Basha, mesazh ngushëllimi për ndarjen nga jeta të dramaturgut Fadil Kraja


Kryetari i Partisë Demokratike (PD), Lulzim Basha, shprehu sot një mesazh ngushëllimi për ndarjen nga jeta të aritstit shqiptar, Fadil Kraja.

“Ndarja nga jeta e ‘Mjeshtrit të Madh’, Fadil Kraja, na hidhëron të gjithëve, duke e bërë të sotshmen një ditë të trishtë për artin, Shkodrën, Shqipërinë”, tha Basha.

Duke ngushëlluar përzemërsisht familjen e dramaturgut, kryedemokrati vlerësoi gjithashtu punën e tij, duke cituar se ajo do të shënjestrojë përgjithmonë kulturën shqiptare.

“Kalimi i tij ndërpret një jetë të pasur e krijuese, e cila do të lërë një gjurmë të përjetshme në kulturën shqiptare. Ngushëllime të sinqerta familjes, miqve dhe kolegëve! U prehtë në paqe!”, përfundoi Basha.

 

Fadil Kraja ndërroi jetë në moshën 91-vjeçare, ditën e enjte, pasi vuante nga një sëmundje e rëndë.

Lajmin e bëri të ditur Teatri Migjeni me anë të një postimi në rrjete sociale, duke njoftuar se homazhet për vdekjen e tij do të zhvillohen më datë 19, nga ora 9-12, në hollin e teatrit “Migjeni”.

Shkrimtari dhe dramaturgu i njohur shqiptar lindi në Shkodër, në vitin 1931.

Ai është fitues i dhjetra çmimeve letrare, veçanërisht në dramaturgji.

Studimet e larta i kreu për Gjuhë-Letërsi, në Fakultetin e Filologjisë, në Universitetin e Tiranës.

Pas diplomimit punoi në profesionin e mësuesit, ku kontribuoi për vite me radhë si një mësues i nderuar në fshat e qytet.

Kraja luajti rol të madh edhe në gjallërimin e Gjimnazit të Shkodrës, ndërsa më vonë punoi si pedagog i letërsisë në Universitetin “Luigj Gurakuqi”, në Shkodër.

Kraja është titulluar “Laureat i Çmimit të Republikës”, “Mjeshtër i madh”, dhe “Kalorës i Flamurit”.

 

 

 

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore