Shqipëria

Basha: Gjërat që i kemi thënë ne, konstatohen edhe në raport


“Raporti i OSBE/ODIHR-it është vula e turpit”, ka deklaruar kreu i Partisë Demokratike në Shqipëri, Lulzim Basha, në një konferencë për mediat pas raportit përfundimtar të Organizatës për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë (OSBE), mbi zgjedhjet e 25 prillit 2021 në Shqipëri.

Ai ka theksuar se të gjitha ato që i ka zbuluar dhe publikuar PD-ja tanimë janë konstatuar dhe në raport.

“Blerja masive e votave, shkrirja e partisë në pushtet me shtetin, keq-përdorimi i aseteve publike, abuzimi me pushtetin, rritja fiktive e punësimeve në administratë për arsye elektorale janë ato që ka denoncuar PD-ja më herët dhe tanimë i ka konstatuar dhe raporti”.

“Po ashtu”, ai shtoi edhe disa nga pikat të raportuara nga PD-ja të konstatuara në raportin e OSBE/ODIHR-it janë “përdorimi i fondeve të rindërtimit, legalizimet në këmbim të votës dhe vjedhja e të dhënave dhe ngritja e sistemit të patronazhistëve”.

Sipas tij, PD-ja ka zbuluar të dhëna para dhe pas 25 prillit.

“Më 25 prill, vullneti i shqiptarëve u tjetërsua”, tha Basha.

Basha “ftoi” Strukturën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit Të Organizuar (SPAK), që të “ndalë pingpongun”. Për kryedemokratin, askush nuk është ndëshkuar dhe “SPAK duhet të fillojë hetimet zgjedhore”.

“Koha na dha të drejtë për të gjitha gjërat tona”, potencoi Basha, edhe pse u shpreh se nuk është i lumtur për situatën në të cilën gjendet Shqipëria.

Sa i takon reagimit të PD-së pas mandatimit të tretë të PS-së në pushtet, Basha shtoi, se do të përqendrojnë betejën e tyre në të gjitha frontet dhe forumet.

Sipas Bashës, kjo është një betejë për shqiptarët.

“Kjo s’do të jetë rrugë e lehtë dhe një rrugë që PD-ja do e përshkojë e vetme”, nënvizoi lideri opozitar.

Lidhur me partneritetin me SHBA-të, Basha garantoi se për PD-në është forma dhe mënyra për ta çuar përpara Shqipëria.

“Shqipëria s’do të kthehet me fytyrë nga Lindja”, garantoi kryedemokrati.

Më herët, nëpërmjet një postimi në Facebook, kryedemokrati listoi disa prej konkluzioneve nga raporti.

Përfundimet e raportit, tha ai, janë tërësisht “indicie të tjetërsimit të vullnetit të shqiptarëve”.

Blerja masive e votave, presioni ndaj votuesve, keqpërdorimi i administratës, përdorimi i fondeve për të orientuar votën apo i grupeve kriminale, si edhe vjedhja e të dhënave personale të votuesve janë pikat më thelbësore për Bashën.

“E përmbledhur me dy fjalë: Masakër Zgjedhore!”, shkruante ai në përmbyllje të postimit.

Kryedemokrati, gjatë fjalës së tij, po ashtu, tha se 25 prilli nuk kishte lidhje me demokracinë apo zgjedhjet e lira.

“Masakra zgjedhore” ka qenë një ndër kryefjalët e Bashës pas humbjes së 25 prillit përballë Partisë Socialiste (PS) dhe rivalit të tij, Edi Rama.

Partia Socialiste i fitoi zgjedhjet me 74 ulëse kuvendore të marra. Demokratët shënuan rritje në mandate krahasuar me zgjedhjet e 2017-ës, por nuk arritën të ndalonin fitoren e tretë radhazi të socialistëve.

Basha risolli në vëmendje edhe lirimin e autorëve të dosjes 339. Duke iu drejtuar SPAK-ut, kryedemokrati ravijëzoi se duhet të ndëshkohet kushdo, në veçanti ortakët e krimit politik, që masakruan çdo standard zgjedhor dhe që zhbënë të drejtën e shqiptarëve për të zgjedhur të lirë.

“Pikërisht në ditën që del raporti i ODIHR, lirohen pjesëtarët e dosjes 339. Është mision parësor i drejtësisë të bëjë detyrën e saj”, tha Basha.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore