Shqipëria

Basha e quan “eksplozive” situatën në PD: Me “non grata” nuk kemi shanse


Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, vijon të thotë se mbetet në dispozicion të gjetjes së zgjidhjes brenda Partisë Demokratike, por këtë herë, përballë Kolegjit të Kryetarëve, ai ka shtuar se “situata është eksplozive” dhe me Sali Berishën të shpallur non grata nga SHBA-të, demokratët nuk kanë asnjë shans.

“Këtu nuk ndodhemi prej gabimeve por për shkak të vendimit të 9 shtatorit. Grupi i qëndroi vendimit të 9 shtatorit. E kuptojmë se nuk kemi shans me një non grata”, vijon Basha diskursin e tij.

Sa i përket asaj çfarë vlen sot, ai thotë se pikërisht Kolegji i Kryetarëve, e mban përgjegjësinë më të madhe për rezultatet.

Megjithatë, për kreun e bluve, të tre pjesët e ndara të PD-së duhen bërë bashkë, në mënyrë që të maksimalizohet rezultati.

“Situata është eksplozive dhe detyra jonë është të jemi një orë e më parë në shërbim të njerëzve. Unë në shërbim të zgjidhjes kam vënë në dispozicion gjithçka”, përmbylli ai fjalën.

“Gjithçka për zgjidhje”

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka bërë me dije se është i gatshëm të vihet në dispozicion me çdo mënyrë, për të gjetur zgjidhje në të gjitha format, sa i përket bashkimit të demokratëve dhe fraksioneve të krijuara, por, dorëheqjen direkte, ai nuk e ka përmendur në asnjë fjalë.

“Kam vendosmëri për të bërë gjithçka për të përbashkuar PD-në. Përgjegjësia kryesore bie mbi mua. Vihem në dispozicion të zgjidhjes në të gjitha format dhe mënyrat e mundshme”, deklaroi Basha përpara gazetarëve.

Nga ana tjetër, ka qenë Grupi Parlamentar demokrat, që i ka kërkuar Bashës dorëheqjen. Gjithashtu, gjëja tjetër që Grupi Parlamentar ka kërkuar, ka qenë edhe tërheqja e Berishës nga fryma përçarëse dhe protagonizmi i shtuar politik që ka marrë.

Për Bashën gjithsesi, është bërë një analizë e gjendjes përgjatë mbledhjes disa orëshe të së shtunës.

Pas këtij takimi, nuk janë kërkuar as koka turku sipas tij, as justifikime. Ajo çfarë është kërkuar, është zgjidhja.

“Për mua, gjëja më e rëndësishme është bashkimi i demokratëve”, vijoi më tej Basha. “Jemi bashkuar gjithmonë përmes vlerave dhe parimeve. Unë jam në dispozicion të zgjidhjes me gjithçka kam në dorë”, përmbylli ai.

Sa i përket Sali Berishës, ende nuk ka një reagim prej tij mbi situatën.

Të gjithë kundër Bashës

Partia Demokratike, këtë herë, duket e bashkuar, por jo për kauzën që mendohej – atë të largimit të Edi Ramës nga pushteti.

Motoja e përbashkimit mes funksionarëve demokratë, është ajo e largimit të kryetarit të tyre aktual, Lulzim Basha, pas rezultatit të PD-së në zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit, ku asnjë bashki nuk u fitua dhe ku në pesë nga gjashtë qytetet ku votohej, demokratët (zyrtarë) u renditën të tretët.

Pas një mbledhjeje maratonë të Grupit Parlamentar demokrat, Basha u shpreh i gatshëm të merrte përgjegjësi të shtuar dhe të gjendej një zgjidhje për ngërçin e krijuar në partinë që ai drejton.

Mirëpo, nga ana tjetër, zgjidhja sipas deputetëve, është pikërisht largimi i Bashës.

Më i zëshmi ndër ta ka qenë Tomor Alizoti, i cili deklaroi pas mbledhjes se “kjo parti tashmë, nuk ka institucione”, duke lënë të nënkuptohej se Basha po i merrte vetë të gjitha vendimet dhe hapat e caktuar.

“Jam rikthyer në këtë mbledhje, për t’iu kërkuar atë që prej disa muajsh e kërkojnë demokratët”, i është referuar Alizoti Bashës në takim. “Duhet të japësh dorëheqje. Kjo parti nuk ka institucione. Vetëm përmes funksionimit të institucioneve, mund të funksionojë partia”.

Menjëherë pas kësaj rezymeje, ai i ka thënë Bashës se duhet të largohet nga posti, pasi nuk ka mbështetjen e demokratëve.

Në të tilla tone kanë qenë edhe deputetë të tjerë të PD-së, më parë mbështetës të Bashës. Këtu, përfshirë edhe emra si Ina Zhupa, Ervin Salianji, Grida Duma apo Enkelejd Alibeaj.

Këta dy të fundit madje, si nënkryetarë të PD-së, i kanë dalë kundër Bashës.

Një ndër zgjidhjet e paraqitura ndërkaq, është ajo e organizimit të zgjedhjeve të brendshme, me fokus rindërtimin e besimit tek demokratët.

Diskutimet pritet të vijojnë edhe në ditët e ardhshme në organe të tjera të larta të PD-së.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore