Shqipëria

Bari: Rama, homazhe në përkujtimoren e Luigj Gurakuqit


Kryeministri Edi Rama ka shkuar për homazhe në përkujtimoren e Luigj Gurakuqit në Bari.

“Homazh në përkujtimoren e vendosur në vendin ku humbi jetën shqiptari i madh, Luigj Gurakuqi”, shkruan Rama në Facebook.

Rama është shoqëruar në homazhe nga kryetari i Bashkisë së Barit, Antonio Decaro. Ministrat, që po shoqërojnë Ramën gjatë turit, ishin gjithashtu të pranishëm. Arben Ahmetaj, Ogerta Manastirliu dhe Evis Kushi janë pjesë e vizitës në Puglia.

Luigj Gurakuqi u vra më 2 mars 1925, në një kafene në Bari.

Gurakuqi ishte një ndër personazhet kryesore të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë më 1912-ën. Në qeverinë e përkohshme të Vlorës, ai u zgjodh si ministër i Arsimit. Vendimi i tij më i rëndësishëm, ishte ai i bërjes së detyrueshëm të arsimit për djem dhe vajza.

Vitet 1921-1924, e panë Gurakuqin si deputet të Shkodrës. Ndër çështjet më të forta që ai mbrojti, ishte ai i mbrojtjes së viseve shqiptare në Kosovë, që po vuanin shtypjen e Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene.

Mbrëmjen e 2 marsit 1925, Balto Stamolla, kushëri i largët i Gurakuqëve, zbrazi tre plumba mbi figurën e lartë shqiptare, duke e lënë të vdekur.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore