Lajme

Ballkani Perëndimor i ngadaltë në vaksininim të popullatës


Vaksinimi i popullatës kundër Covid-19 në Ballkanin Perëndimor ka filluar si proces, mirëpo ritmi është mjaftë i ngadaltë. Serbia është vendi i parë që ka filluar vaksinimin, ndërsa Kosova e fundit që e ka filluar këtë proces.

Kosova në bazë të ritmit që ka tani, këtë proces mund ta përmbyll tek në vitin 2031.

Nga vendet e Ballkanit Perëndimor më së miri qëndron Serbia. Ajo, edhe për nga furnizimi me vaksina por edhe sa i përket vaksinimit të shtetasve të saj renditet e para në rajon, por edhe ndër vendet më të suksesshme në Evropë.

Serbia deri më tani është furnizuar me disa lloje të vaksinave të prodhuesve të ndryshëm. Ajo deri tani ka vaksinuar mbi 2.6 milion persona.

“Sipas të dhënave të fundit nga Qeveria, 1,112,823 njerëz morën dozën e dytë, pra rivaksinimin” përcjell BBC News. Në baza ditore ajo vaksinon diku  rreth 32 mijë persona. Sipas këtij ritmi ajo mund ta vaksinoj mbi 70% të popullatës deri në mes të nëntorit 2021.

Por, Kosova krahasuar me Shqipërinë dhe Serbinë qëndron shumë larg në këtë proces. Ajo deri më tani ka vaksinuar vetëm 3,067 persona. Në baza ditore vaksinon rreth 400 persona. Marsi i vitit 2031 parashihet të jetë fundit e vaksinimit të mbi 70% të popullatës në bazë të këtij ritmi të filluar dhe duke kalkuluar numrin e banorëve të vendit.

Por, Ministri Arben Vitia gjatë vizitës së qendrës së vaksinimit në Prishtinë duke shoqëruar Presidenten Vjosa Osmani, ai para mediave është shprehur se deri më tani janë vaksinuar 3100 pjesëtarë të personelit mjekësor. Tutje ai ka thënë se “nga data 8,9 të këtij muaji do të fillojë vaksinimi i personave mbi moshën 80-vjeçare. Procesi është duke shkuar jashtëzakonisht mirë. Është duke u bërë shpërndarja edhe nëpër komunat respektive dhe qendrat e vaksinimit edhe nëpër këto komuna po vazhdojnë njësoj që të bëjnë vaksinimin e personelit shëndetësor, të stafit të tyre, nëpër komunat përkatëse”, u shpreh ministri Vitia.

Pas Serbisë për kah vaksinimi radhitet Shqipëria. Ajo deri më tani ka vaksinuar 206.708 persona u shpreh ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu gjatë vizitës në qytetin e Korçës së bashku me kryeministrin Edi Rama thuhet në një lajm të datës 6 prill të publikuar në faqen e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Social të Shqipërisë. Në baza ditore ajo vaksinon rreth 15,500 persona. Para fundit të vitit 2021 parashihet të bëhet realizimit i vaksinimit të mbi 70% të popullatës së vendit gjithnjë duke kalkuluar edhe numrin e përgjithshëm të banorëve.

Kurse Mali i Zi deri më tani ka vaksinuar rreth 33 mijë persona. Ndërsa, në baza ditore vaksinon rreth 1600 persona. Vaksinimi i mbi 70% të popullatës nëse vazhdon ky ritëm i vaksinimit duke kalkuluar numrin e popullatës do të përmbyllet gjatë vjeshtës së vitit 2022.

Maqedoninë e Veriut deri më tani ka vaksinuar  mbi 12000 persona përcjell Alsat-mk. Mbi 600 persona vaksinohen në baza ditore. Gjatë vitit 2028 parashihet të jetë përfundimi i vaksinimit të mbi 70% të popullatës nëse ecën me këtë ritëm të vaksinimit dhe duke krahasuar nurin e popullatës së vendit.

Ndërsa sa i përket Bosnjës dhe Hercegovinës, ajo dihet se ka 130,000 vaksina mirëpo, ky shtet nuk ka dërguar asnjë informacion shtesë në lidhje me procesin e vaksinimit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore