Përballje

Ballkani niset drejt Lituanisë me synim kualifikimin


Kampioni i Kosovës në futboll, FC Ballkani, është nisur gjatë ditës së sotme (e hënë) për në Lituani, për ta zhvilluar ndeshjen e kthimit në fazën e parë të Ligës së Kampionëve.

Ballkani do të përballet në udhëtim me kampionin e këtij vendi, FK Zalgiris, në ndeshjen e dytë, derisa ajo e para e zhvilluar në Prishtinë një javë më parë, përfundoi me rezultat të barabartë, 1:1.

Vlen të ceket se ndeshja e parë e zhvilluar në stadiumin “Fadil Vokrri” ishte thuajse tërësisht e dominuar nga ekipi nga Theranda, por ata nuk mundën të dalin me fitore nga ajo ndeshje.

Kështu që ekipi i drejtuar nga trajneri, Ilir Daja, do të tentojë fitoren në udhëtim, për ta kaluar raundin e parë në këtë garë.

Së bashku me ekipin ka udhëtuar edhe kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj për t’i përkrahur nga afër djemtë e qytetit që të kalojnë në raundin tjetër të Ligës së Kampionëve.

Zalgiris dhe Ballkani përballen të martën me fillim nga ora 18:00.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore