Sport

Ballkani historik në Evropë


Viti 2022 ishte vit historik për futbollin kosovar.

Këtë e shkroi Ballkani, duke u bërë skuadra e parë nga Kosova që mori pjesë në garat evropiane.

Ekipi nga qyteti i Therandës bëri krenar të gjithë shqiptarët, duke marrë pjesë në grupet e Ligës së Konferencës – edicioni i dytë i kësaj gare të UEFA-s.

Fillimisht, para se të shkruanin historinë në Evropë, ekipi i udhëhequr nga trajneri shqiptar, Ilir Daja, bëri historinë në Kosovë, duke u shpallur kampion i edicionit 2021/22, që ishte titulli i parë i tyre.

Ballkani përfundoi e para në tabelë me 76 pikë, duke lënë prapa në vendin e dytë skuadrën e Dritës me 22 pikë më pak.

Pra, kampioni i Kosovës për herë të parë në histori do të merrte pjesë direkt në kualifikimet e Ligës së Kampionëve – jo sikur në sezonet tjera që fillimisht luanin në fazën para-kualifikuese, e pastaj në kualifikime direkte.

Shorti bëri që therandasit të ballafaqoheshin në xhiron e parë me kampionin e Lituanisë, FC Zalgiris.

Në dy ballafaqimet, Ballkani mund të konsiderohej pafat. Ndeshjen e parë të zhvilluar në “Fadil Vokrri” therandasit barazuan me rezultat 1:1, përkundër se kishin një dominim total ndaj lituanëve.

Kurse një javë më vonë, ekipi i Ilir Dajës e humbi ndeshjen me rezultat 1:0, që gjithashtu shfaqën një lojë shumë të mirë.

Me këtë rezultat, kampionët e Kosovës u eliminuan nga kualifikimet e Ligës së Kampionëve, por garat i vazhduan në Ligën e Konferencës.

Shorti ishte në anën e kosovarëve në këtë rang kualifikues, teksa përballë kishin ekipin nga San Marino, La Fiorita-n.

Ballkani përballë tyre ishte një ekip superior, ku ndeshjen e parë të zhvilluar si mysafir e fituan me rezultat 0:4. Golat i shënuan Albin Rrahmani dy dhe nga një Meriton Korenica dhe Albin Berisha.

Një javë më vonë, Ballkani e luajti ndeshjen si vendas në Prishtinë, ku deklasuan kundërshtarin me shifrat 6:0.

Albion Rrahmani përsëri shkëlqeu në këtë ndeshje duke shënuar tre gola, ndërsa dy i shënoi Leonit Abazi dhe një Ermal Krasniqi.

Pra, Ballkani e kaloi këtë kundërshtar pa problem, derisa i radhës do të ishte ekipi nga Ishujt Faroe, Klaksvik.

Të parin duel në Prishtinë Ballkani e fitoi me shifrat 3:2, përkundër se kishin një epërsi prej 3:0 me golat e Rrahmanit, Gripshit dhe Korenicës.

Ndërsa në takimin e dytë si mysafirë, ekipi nga Suhareka pësoi humbje 2:1, që rezultati i përgjithshëm doli të jetë 4:4 dhe skuadrat shkuan në vazhdime, pastaj edhe në penallti.

Therandasit u treguan më të saktë nga pika e bardhë duke shënuar katër herë, ndërkohë që kundërshtari i gaboi dy penallti dhe kështu Ballkani u kualifikua në fazën “Play-Off” (vetëm edhe një ndeshje për t’u kualifikuar) të kësaj gare.

Kundërshtari i fundit në ciklin kualifikues doli të jetë skuadra shqiptare nga Maqedonia e Veriut, FC Shkupi.

Në ndeshjen e parë të zhvilluar në kryeqytetin maqedonas, Ballkani shënoi fitore me shifrat 1:2 (golat: Rrahmani dhe Korenica), rezultat ky që e solli shumë afër arritjes së historisë.

Dhe, në takimin e dytë të zhvilluar në “Fadil Vokrri”, Ballkani gjithashtu shënoi fitore të ngushtë me rezultat 1:0, që doli të jetë më e vlefshmja e realizuar ndonjëherë nga ekipet kosovare.

Këtu u shkrua historia. Ballkani bëhet ekipi i parë nga Kosova që merr pjesë në grupet e një gare të organizuar nga UEFA.

Vlen të theksohet se gjatë kualifikimeve, Albion Rrahmani ishte golashënuesi më i mirë nga të gjitha ekipet që morën pjesë, i cili kishte realizuar shtatë gola.

Nuk vonoi shumë dhe UEFA hodhi shortin për edicionin e ri në tre garat e tyre: Champions Leauge, Europa Leauge dhe Conference Leauge.

Ballkani u shortua në Grupin G, ku bënin pjesë çekët e Slavia Prague-s, turqit e Sivasspor-it dhe rumunët e CFR Cluj.

Ndeshjen e parë kosovarët do ta luanin ndaj Cluj në “Fadil Vokrri”.

Dominuan të gjithë takimin, shënuan gol me anë të Armend Thaqit në minutën e 65-të, por në minutat shtesë, një gabim i portierit Stivi Frashëri, ia mohoi tre pikët Ballkanit dhe në fund dolën me një pikë nga ky takim.

Takimi i radhës ishte me ekipin që konsiderohej më i forti i grupit – Slavia Prague. Djelmoshat e Ilir Dajës nuk iu frikuan aspak këtij takimi, pavarësisht që kishin një kundërshtar shumë të fortë në letër.

Të parët kaluan në epërsi me golin e Ermal Krasniqit në minutën e 23-të, pastaj pas barazimit, përsëri kaluan në avantazh me anë të Meriton Korenicës në minutën e 29-të.

Megjithatë, Slavia u tregua e fortë për therandasit, që shënuan edhe dy herë tjera brenda pjesës së parë për rezultatin përfundimtar 3:2.

Ballkani doli nga kjo lojë i mposhtur, megjithatë me kokën lart, duke treguar një lojë shumë të mirë ndaj një kundërshtari që viteve të fundit kishte marrë pjesë edhe në grupet e Ligës së Kampionëve.

Ndeshjen e tretë të grupeve, Ballkani luajti në udhëtim te Sivasspor, ku doli të jetë ndeshja më spektakolare e tyre.

Në fakt, në fillim nuk u mendua ashtu, pasi që në minutën e parë të ndeshjes, ata u gjenden në disavantazh.

Por, nuk u dorëzuan dhe kaluan në epërsi që në pjesën e parë me golat e shënuar nga Armend Thaqi dhe Arbër Potoku.

Meriton Korenica e thelloi epërsinë në pjesën e dytë, derisa vendasit arritën ta barazojnë rezultatin në minutën e parë shtesë.

Megjithatë, Ballkani nuk u dorëzua dhe tre minuta më vonë, Ermal Krasniqi drithëroi zemrat shqiptare, duke e shënuar golin e fitores.

Ballkani largohet nga Turqia me tre pikë të marra nga ky takim, pikë këto që e bënin lider të grupit për herë të parë me katër pikë (gjitha skuadrat e grupit kishin pikë të barabarta).

Prova e katërt do të ishte kundërshtari i njëjtë, por vendi i ndryshëm.

“Fadil Vokrri” ishte i stërmbushur nga tifozë anë e mbanë Kosovës, për t’i përcjellë djelmoshat që ishin duke e shkruar historinë dhe duke e kërkuar kualifikimin nga faza e grupeve që dukej shumë afër.

Në një atmosferë drithëruese, djemtë e Dajës shënuan, ku përsëri ishte mbrojtësi anësor, Armend Thaqi që realizoi një gol shumë të bukur në minutën e 36-të.

Më pas vazhdoi dominimi i lojës, posedimi i topit, rastet më shumë të krijuara, por në minutën e 72-të therandasit u dorëzuan duke e pranuar golin e barazimit.

Pas këtij momenti, Ballkani u hap për të shënuar golin e fitores, por ata pësuan në minutat shtesë, kështu duke e humbur këtë ndeshje, nga e cila u zbehën gjasat për ta kërkuar kualifikimin.

Ndeshja e pestë e grupeve ishte përsëri në Prishtinë, ku këtë radhë e vizituan Slavia Prague.

Shpresat për kualifikim nuk ishin shuar ende, pasi që me një fitore eventuale, Ballkani do të kishte mundësi të mirë për ta kaluar grupin.

Me përkrahje maksimale në stadiumin e Prishtinës, Ballkani nuk arriti të merrte pikë, pavarësisht se dominuan këtë ndeshje dhe në fund e humbën me rezultat minimal 0:1.

Humbje identike do të pësonin edhe në udhëtim te Cluj, që doli të jetë ndeshja e fundit në Evropë për Ballkanin në atë sezon.

Pra, kampionët e Kosovës u eliminuan, por paraqitja e tyre përveç se ishte historike, ishte edhe e këndshme për t’u ndjekur.

Nga këto ndeshje ndërkombëtare, Ballkani arriti të fitonte mbi 4 milionë euro në total.

Katër raundet e fazës eliminatore ia siguruar 400 mijë euro fillimisht, ndërsa kalimi në grupe ia shtoi afër 3 milionë euro.

Nga rishpërndarja e parave për klubet, Ballkani mori mbi 71 mijë euro, ndërsa nga koeficienti dhjetëvjeçar i UEFA-s, kampioni i Kosovës shtoi në konto edhe mbi 44 mijë euro.

Fitorja ndaj Sivasspor shtoi në konto edhe 500 mijë euro të tjera, ndërsa barazim në shtëpi ndaj Cluj ia dha Ballkanit edhe 166 mijë euro të tjera.

Ky sukses i Ballkanit gjithashtu doli të jetë ndër më meritore që Superliga e Kosovës shënoi një ngritje historike në ranglistën e UEFA-s.

Tani Kosova mban vendin e 33-të që është pozita më e lartë ndonjëherë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore