Përballje

Balliu e pranon që e goditi në vesh Vinicius-in


Mbrojtësi i kombëtares së Shqipërisë, Ivan Balliu, ishte një nga futbollistët më të mirë në suksesin befasues të Rayo Vallecano-s, të cilët e mposhtën Real Madrid-in me rezultat 3:2.

Balliu shkëlqeu dhe njëkohësisht ishte protagonist i disa dueleve me këmbëshpejtin e Real-it, Vinicius Junior (luajtën në një krah të dytë).

Një episod interesant mes brazilianit dhe shqiptarit, ishte kur Balliu e goditi në vesh Vinicius-in, rast ky që u kërkua kartoni i kuq nga futbollistët e Real-it, por i të njëjtit mendim nuk ishte gjyqtari i ndeshjes.

Pas loje, ishte vetë Balliu që e pranoi se e kishte goditur Vinicius-in.

“Po është e vërtetë që e godita në vesh, por ky moment u ekzagjerua shumë. Nuk kishte asnjë qëllim për ta dëmtuar, nuk mendoj që ishte ndërhyrje e tepruar. Ai kërkonte të krijonte hapësirë dhe këtë u mundova t’ia mohoj”, theksoi Balliu.

Kujtojmë që Balliu është një futbollist i rritur në akademinë e Barcelonës, derisa ai shpesh quhet një “katalanas”. Por, ai nuk e dëshiron një gjë të tillë.

“Kam qenë atje për shumë vite dhe i jam shumë mirënjohës. Por nuk jam nga Barça. Më pëlqen të shikoj futboll dhe të shoh shumë gola”, tha mes tjerash futbollisti kuqezi.

Kujtojmë që Vallecano ia shkaktoi humbjen e parë Real Madrid-it në këtë edicion në La Liga.

Pas kësaj humbje, tani “mbretërit” gjenden në vendin e dytë në tabelë me dy pikë më pak se rivali Barcelona në vendin e parë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore