Shqipëria

Balla e quan koalicionin Meta-Berisha “Aleanca e rublave”, pas hetimit nga EUReporter


Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, e ka etiketuar si “Aleancë e rublave” atë mes Sali Berishës dhe Ilir Metës, pas një publikimi të bërë nga media EUReporter, e cila pasqyron se Monika Kryemadhi, në vitin 2017 kryetare e Partisë së Lirisë, ka marrë pagesa nga kompani offshore të oligarkëve rusë.

Dy kryesorët e përfshirë në këtë çështje, sipas publikimit, janë Alexander Smuzikov dhe Alexander Kaplan, dy oligarkë rusë që operojnë në fushën e naftës.

“Hetimi i EUReporter po nxjerr edhe Metën në borderotë e Kremlinit. Madje, siç duket qartazi nga dokumentat e zbuluara, qenkan edhe aksionerë në kompanitë e oligarkëve të Putin”, shkruan Balla përmes një reagimi në median e tij sociale Facebook.

Pavarësisht kësaj, ka qenë vetë Kryemadhi, ajo e cila për Albanian Post ka reaguar, duke thënë se e gjithë situata është një “fake News”, i paguar nga ajo që ka emërtuar si “mafie e inceneratorëve, duke iu referuar si artikujve të publikuar nga media kombëtare, edhe nga ato ndërkombëtare.

Më tej, ajo shtoi se nuk ka qenë, nuk është dhe nuk do të jetë asnjëherë aksionere në kompani të tilla ruse, kineze, e aq më pak offshore, “siç pretendendohet nga të financuarit e inceneratorëve në Shqipëri”.

“Po të mos ndalojnë pagesat prej 100 mijë eurove në ditë nga taksat e shqiptarëve, sigurisht që do të vazhdojnë portalet të paguhen për të vjellë lajme ‘bombastike’”, tha ajo për Albanian Post, duke shtuar se të gjitha do të provohen dhe dëshmohen se janë lajme të rreme.

Me rëndësi më të lartë sipas saj, është thirrja që ajo vetë dhe opozita shqiptare ka vite që e bën, e cila lidhet me Prokurorinë e Posaçme SPAK, që duhet të ndalojë pagesat që vijojnë të bëhen për Inceneratorin e Tiranës.

Ekskluzive/ Kryemadhi reagon për Albanian Post: Akuzat ndaj meje ‘fake news’, nuk jam aksionere në kompani ruse

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore