Shqipëria

Balla dhe Jenrick në Rinas: Numri i migrantëve të paligjshëm shqiptarë drejt Britanisë ka rënë me 90%


Ministri i Brendshëm të Shqipërisë, Taulant Balla dhe Ministri i Emigracionit të Britanisë së Madhe, Robert Jenrick ishin së bashku të mërkurën e 13 shtatorit në aeroportin “Nënë Tereza”.

Të dy zyrtarët panë nga afër përpunimin e të dhënave të shtetasve të kthyer nga Anglia si pasojë e qëndrimit të tyre të paligjshëm.

Prej Komunikatës së Përbashkët të dhjetorit 2022 të kryeministrave të dy shteteve, Mbretëria e Bashkuar dhe Shqipëria e kanë përforcuar edhe më shumë bashkëpunimin mes tyre.

Gjatë kësaj periudhe, numri i shtetasve shqiptarë që shkojnë në mënyrë të paligjshme drejt Mbretërisë së Bashkuar ka rënë me 90 për qind krahasuar me vitin e shkuar, dhe është vënë re një rritje e numrit shtetasve shqiptarë, të kthyer në përmbushje të marrëveshjes së suksesshme.

Më pas dy ministrat vizituan Task Forcën, e cila funksionon në ambientet e godinës së re të Komisariatit të Policisë Rinas ndërtuar në maj 2022, e cila është financuar nga qeveria britanike.

Gjithashtu në Rinas janë ndërtuar ambiente të posaçme për intervistimin e shtetasve të kthyer, subjekt i riatdhesimit.

Pala britanike ka asistuar Policinë e Shtetit edhe me pajisje logjistike, duke rritur kapacitetet përpunuese të strukturës.

Balla informoi ministrin Jenrick mbi masat e marra duke ngritur me kohë të plotë një Task Forcë të Përbashkët, për Migracionin me pjesëmarrjen e strukturave të Policisë së Shtetit dhe autoriteteve britanike për parandalimin dhe goditjen e aktiviteteve kriminale në fushën e migracionit.

Kjo njësi kryen shkëmbimin, verifikimin, përpunimin dhe shpërndarjen e informacionit nëpërmjet mekanizmave të sigurt të komunikimit, që lidhen me migracionin e paligjshëm, falsifikimin dhe mashtrimin me dokumentet në lidhje me migracionin.

Ministri britanik ndodhet në Tiranë, pasi do të marrë pjesë në Ministerialin e Ministrave të Brendshëm në kuadër të Procesit të Berlinit, që mbahet më 14 shtator.

Tema të Ministerialit do të jenë Menaxhimi i Integruar të Kufijve; Bashkëpunimi Rajonal në luftën kundër krimit të organizuar; Partneriteti për krimin kibernetik në Ballkanin Perëndimor.

Ministri Balla do të presë Ministrat e Brendshëm dhe krerët e delegacioneve nga 26 vende të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, nga ora 12:15 deri në 13:30, në hyrje të Pallatit të Kongreseve.

Në nisje të Ministerialit, ora 14:00 do të mbajnë fjalët respektive Taulant Balla, ministër i Brendshëm i Shqipërisë, Fernando Grande-Marlaska, në cilësinë e Presidencës të Këshillit të BE-së, ministër i Brendshëm i Spanjës, dhe Johannes Luchner, zv.drejtor i Përgjithshëm i DG HOME, Komisioni Evropian.

Më pas punimet do të vijojnë me dyer të mbyllura në dy seanca.

Në 17:20, ministri Balla do të bëjë përmbylljen e punimeve dhe rezultatet e arritura.

Në 17:30 do të ketë një konferencë për media të Ministrit të Brendshëm Shqiptar dhe DG Home.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore