Kosova

Bajrami pas rënies së bllokut A5: E dija se diçka s’është në rregull – si u bë që KEK’u ta riparonte vetë bllokun?


Hykmete Bajrami

Pas raportimeve të Albanian Post se ka rënë blloku A5 i Termocentralit Kosova A vetëm pak ditë pasi u funksionalizua, ka reaguar deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami.

“Pa u bë ende 10 ditë, blloku A5 del prapë jashtë funksionit. Thoshin se do të ndalet ‘gjakderdhja financiare’, këta dojnë me i qitë në ‘komë’ ndërmarrjet publike”, shkroi Bajrami në Facebook.

Ndërkaq, ajo e komentoi edhe deklaratën e ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli, e cila me rasti e kthimit në funksion të këtij blloku e kishte konsideruar si “një dhuratë”.

Me të vërtetë “doli të jetë dhuratë, se vetëm dhuratat zgjasin kaq pak”.

“Për qëndrueshmëri duhet punë konsistente – don me ju shku mandati pa e kuptuar këtë gjë”, shtoi ajo.

Bajrami ka folur edhe për Albanian Post rreth së njëjtës cështje.

“Ndërsa befasia më e madhe ishte futja në funksion e këtij blloku duke mos pasur fare kompani për renovim, për remont të bllokut A5, ajo ishte befasia më e madhe”, shpjegon Bajrami për AP.

Madje, ajo tha se për këtë çështje “kam bërë reagim edhe më herët”, pasi “ishte gati e pabesueshme që blloku A5 mbeti jashtë funksionit për 10 muaj”.

“Duke humbur kështu 700 mijë deri në 1 milion euro në ditë energji elektrike. Kjo ka qenë kostoja oportune e mbajtjes së tij jashtë funksionit, dhe krejt papritmas, menjëherë pas arrestimit të ish-kryeshefit, për afër 10 ditë pa pasur kompani, me forca të veta tani KEK-u e vendos në funksion”, deklaroi ish-ministrja.

Aktualisht deputetet e LDK-së, Bajrami vlerësoi se është “fatkeqësi krejt çka po ndodh në tendera, dhe jo vetëm në KEK, por në të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës”.

“Sepse siç duket kjo kontrata direkte apo e negociuar pa shpallje publike është bërë diçka e zakonshme. Pra i kemi edhe në organizata të tjera buxhetore”, pohoi ajo për AP.

Për të gjithë situatën e krijuar, Bajrami potencoi se të gjitha këto janë “kostot e keqmenaxhimit të ndërmarrjeve publike, në këtë rast të KEK-ut, dhe këto po i paguajnë qytetarët e Kosovës me taksat e tyre”.

Çka ndodhi?

Lajmi që ishte prezantuar me pompozitet nga Qeveria e Kosovës se më në fund është kthyer në funksion blloku A5 i Kosovës A, po del të jetë vetëm një marketing për t’iu shpëtuar kritikave.

Fillimisht burime të Albanian Post brenda Korporatës Energjetike të Kosovës kanë bërë me dije se blloku punoi vetëm pak ditë dhe tash prapë është jashtë funksionit.

Ishte Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, e cila me 7 maj shkroi në Facebook se “dhuratë më të mirë” se lajmi që njësia A5 e Kosovës A në KEK është rikthyer në funksion, nuk ka marrë për ditëlindje, por burimet e AP-së tregojnë se blloku sërish është jashtë funksioni.

“A5 ka rrjedhje të kaldajës dhe ka dalë nga sistemi”, tregon burimi brenda KEK-ut.

Madje prishja ka ndodhur pikërisht në vendin ku do të duhej të bëhej remonti/riparimi, i cili nuk u bë asnjëherë, për shkak të dallavereve që ndodhën në Korporatën Energjetike të Kosovës, për çka edhe është arrestuar kryeshefi i KEK-ut, Nagip Krasniqi.

“Aty ku ka pas të bëhet ai remonti i cili ka dështuar”, aty edhe ka ndodhur rrjedhja tha burimi në kushte anonimiteti.

Ai tregoi se punëtorët e KEK-ut vetë kanë bërë të pamundurën për ta rregulluar, por “ajo pa pajisje nuk mund të bëhet, është e pamundshme”.

“Ka pas rrjedhje në kaldajë, tash po mundohen ta evitojnë rrjedhjen dhe ta rikthejnë në funksion sa më shpejt që është e mundshme. Ende është duke u punuar në të, që të evitohet rrjedhja”, vazhdon më tej burimi.

Blloku A5 para shumë muajsh do të duhej të dërgohej në riparim, në mënyrë që të rikthehej më pas në punë pa prishje. Por, qëllimshëm ishte anuluar projekti për Riparimin Kapital të kaldajës së bllokut A5.

Mashtrimi që nuk zgjati as 10 ditë: Ka rënë sërish blloku A5 i Kosovës A –“s’është bërë remonti, gjithmonë do ketë probleme”

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore