Lajme

Avokati i të miturës që u aksidentua nga ministrja: Kërkuam që seanca të jetë e hapur por u kundërshtua nga pala tjetër


Avokati i të miturës që u aksidentua nga ministrja Rozeta Hajdari, Florim Shefqeti.

Avokati i të miturës që është aksidentuar nga ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, Florim Shefqeti, ka thënë se kanë kërkuar që seanca të mos jetë e mbyllur.

Por, që kjo është kundërshtuar nga pala e ministres, Rozeta Hajdari.

“Është një kërkesë e përfaqësuesit të pandehurës Hajdari, për mbylljen e seancës. Ne i kemi dhënë kundërshtimet tona që kjo seancë s’është dashur që të mbyllet, nga vet fakti se kërkesa e tyre është në kundërshtim me qëndrimin e tyre ku shihet se aty kanë marrë pjesë monitoruese dhe asnjë vërejtje s’ka ekzistuar nga pala e pandehur lidhur me pjesëmarrjen e mediave”.

“Por, tani që ka ardhur koha që të bëhet deklarimi i të pandehurës, atëherë ka ardhur kjo kërkesë”, ka thënë Shefqeti para gazetarëve.

Ai tutje ka sqaruar se kanë kërkuar që të mos vazhdohet me publikimin e videos ku shfaqet e mitura duke u goditur nga ministrja, pasi sipas tij në këtë formë cenohet Ligji për familjen dhe të dhënat personale.

“Për të dyja këto cenime të ligjeve ne do t’i drejtohemi Agjencisë për Informim dhe Privatësi, ndaj atyre që kanë bërë publikimin, sepse publikimi i asaj video është bërë në mënyrë shumë të pjesshme për interpretime me qëllime të caktuara”.

Edhe avokati i ministres së Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë, Rozeta Hajdari, Shemdi Bunjaku, e ka arsyetuar kërkesën për mbajtjen e seancës pa prani të mediave në seancë gjyqësore.

Ai para gazetarëve ka deklaruar se kjo është duke u bërë për të respektuar Ligjin për mbrojtjen e fëmijëve.

“Mungesë kujdesi dhe frenim me vonesë”.

Kështu të paktën shkruhej në super-ekspertizën për aksidentin, ku ministrja e Industrisë, Rozeta Hajdari, kishte goditur një të mitur me veturë me 10 prill të vitit të kaluar.

Në raport ndër të tjera theksohet se “drejtuesja e automjetit ‘Ford Fiesta’ nuk ka treguar kujdesin e duhur gjatë lëvizjes në kushte të qarkullimit në zona urbane ku kërkesat për lëvizjen të këmbësorëve dhe lëvizjes të tjera të pamotorizuara janë më të mëdha, duke reaguar me vonesë në ndërmarrjen e veprimit të frenimit të vrullshëm me qëllim të evitimit të aksidentit”.

Ndër të tjera super-ekspertiza konstaton se Hajdari po voziste me shpejtësi më të lartë sesa shpejtësia me të cilën do të mund të evitonte aksidentin.

“Drejtuesja e automjetit ‘Ford Fiesta’ për shpejtësinë e lejuar të lëvizjes prej 50 km në orë, me frenim të vrullshëm nuk ka pasur mundësi teknike për evitimin e përplasjes së këmbësores”.

Më 10 prill të vitit të kaluar, ministrja Hajdari, kishte shkaktuar një aksident trafiku në Prishtinë.

Në aksident ishte përfshirë edhe një vajzë. Vajza ishte goditur nga vetura të cilën e drejtonte Hajdari.

Në shpjegimin e saj paksa kontrovers, Hajdari do të arsyetohej se fëmija ishte ajo që e goditi veturën, dhe jo anasjelltas.

“Mungesë kujdesi e frenim me vonesë” – Super-ekspertiza për aksidentin ku Hajdari goditi një fëmijë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore