Lajme

Avokati i Haradinaj kërkon shtyrje të seancës në Speciale pasi ka rezultuar pozitiv me COVID-19


Toby Cadman dhe Nasim Haradinaj

Avokati i ish-kreut të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Nasim Haradinaj, Toby Cadman, në seancën e ditës së hënë në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, ka deklaruar se ka rezultuar pozitiv me virusin COVID-19, me ç’rast ka kërkuar që procedurat aktuale të shtyhen.

Kërkesën e Cadman e ka miratuar, Gjyqtari i Gjykatës Speciale në rastin e ish-krerëve të OVL-UÇK-së, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, Charles. L .Smith II,  i cili ka urdhëruar për një orë pauzë deri sa Cadman të kontaktoj me klientin e tij në këtë rast, Haradinajn.

“Po kërkoj një shtyrje të përkohshme që të kontaktoj me Haradinaj dhe të shohim se a është për të vazhduar apo është pro shtyrjes. Haradinaj nuk është i pranishëm, ka qenë e pamundur të kontaktoj me të dhe nëse nesër do të jetë në Gjykatë, hetuesi ynë nuk është gati të jetë në seancë për shkak se duhet të pret për testin PCR”, deklaroi Cadman.

Cadman, ka bërë të ditur gjithashtu se edhe klienti i tij, Haradinaj është në karantin pasi që edhe ai ka rezultuar pozitiv me COVID-19.

Nga seanca e ditës së hënë në Gjykatën Speciale ku avokati i Nasim Haradinaj, Toby Cadman dhe vet Haradinaj janë paraqitur në seancë përmes video-lidhjes, pasi kanë rezultuar pozitiv me COVID-19.

Gjykimi ndaj Gucatit dhe Haradinajt i cili ka filluar me 7 tetor të këtij viti është gjykimi i dytë që ka filluar në Gjykatën Speciale.

Deri më tani për rastin Gucati-Haradinaj në Speciale janë dëgjuar katër dëshmitarë, koordinatorja e hetimit në Dhomat e Specializuara të Kosovës, Zdenka Pumper, ish-gazetari i Gazetës Infokus, Halil Berisha si dhe Miro Jukiç, udhëheqës i ekipit për sigurinë dhe trajtimin e dëshmitarëve në Zyrën e Prokurorit të Specializuar dhe Punonjësi Operativ i Sigurisë në Zyrën e Prokurorit të Specializuar, Daniel Moberg.

Katër dëshmitarët në çështjen Gucati-Haradinaj në Speciale

Hysni Gucati së bashku me Nasim Haradinaj, po akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.

“Akuzat e paraqitura në aktakuzën e konfirmuar mbështeten në dyshimin e bazuar mirë se së paku midis 7 dhe 25 shtatorit 2020, z. Gucati dhe z. Haradinaj zbuluan pa autorizim informacion të mbrojtur prej Ligjit të Dhomave të Specializuara, ndër të cilat të dhëna identifikuese të disa dëshmitarëve (të mundshëm), në tre konferenca shtypi dhe aktivitete të tjera të transmetuara, si edhe përmes shpërndarjes së mëtejshme ku përfshihen deklaratat në rrjetet sociale”, thuhej në njoftimin e Dhomave të Specializuara.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore