Shqipëria

Avokati i Aishe Haklajt zbulon arsyen e thirrjes së saj në SPAK


Idajet Beqiri, avokati i Aishe Haklajt, deklaroi se thirrja e saj në ambientet e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) ka qenë për të dhënë dëshminë si dëshmitare okulare.

Kjo, lidhur me çështjen e vrasjes së vëllezërve Haklaj, për të cilën Aishe Haklaj akuzon drejtpërdrejt ish-kryeministrin Sali Berisha.

Lajmi u bë i ditur nga transmetuesi Euronews Albania, duke cituar intervistën me Beqirin.

“Bëhet fjalë për një kallëzim penal që kemi bërë më parë për vrasjen e vëllezërve Haklaj, për një grup të organizuar terrorist, për akte terroriste dhe vrasjen e vëllezërve. SPAK ka kohë që punon me këtë çështje, ka nisur hetimet, ka marrë provat për shqyrtim dhe ka marrë edhe 4 dosje që kanë qenë të pezulluara në Tropojë. SPAK e ka të domosdoshme të marrë edhe dëshminë e dëshmitarëve okularë dhe njëra prej tyre është motra e Haklajve, Aishja e cila jeton prej kohësh në Suedi”, deklaroi ai për Euronews.

Aishe Haklaj akuzon ish-kryeministrin Sali Berisha për vrasjen e katër vëllezërve të saj, Halil, Shkëlqim, Fatmir dhe Ylli Haklaj.

Kujtojmë që, kjo është hera e parë që motra e madhe e familjes Haklaj merret në pyetje në cilësinë e kallëzueses për këtë padi.

Kulla e Haklajve u braktis përfundimisht në fund të vitit 2006.

Babai, Muharremi, dhe djali i vetëm i mbetur gjallë Hamdiu nuk janë parë më në ato anë.

E gjithë familja, ka nisur një jetë të re në Suedi, ku kanë fituar azil politik.

Asokohe, në kallëzimin për SPAK, avokati Idajet Beqiri shprehet se për të zbardhur shfarosjen e fisit Haklaj në Tropojë, dy kallëzuezit kishin në duar shumë prova, fakte, dokumente, video, pamje filmike dhe shumë dëshmitarë okularë.

Sipas kallëzimit penal, kërkohet fillimi i procedimit penal dhe kryerja e hetimeve, për kryerjen e veprave penale të: “Vrasje me paramendim”, parashikuar nga Neni 78/2 i Kodit Penal; “Krijimi i bandës së armatosur dhe organizatës kriminale”, parashikuar nga neni 333 i Kodit Penal (Viti 1995); “Kryerja e krimeve nga banda e armatosur dhe organizata kriminale”, parashikuar nga neni 334 i Kodit Penal (1995); “Aktet terroriste”, parashikuar nga neni 230 i Kodit Penal.

Fatmir Haklaj, njëri nga djemtë e familjes Haklaj ka qenë drejtues i policisë së Tropojës në vitet 1997.

Familja Haklaj në atë periudhë u përfshi në një zinxhir përplasjesh dhe viktimash pas vrasjes së Sokol Haklajt te Ura e Milotit.

Sokoli ishte ndihmës gjyqtar në rrethin e Skraparit. Kjo vrasje hapi sagën e vrasjeve të fisit Haklaj.

Kjo, për të pasuar më pas me ekzekutimin e djemve të tjerë si Shkëlqim Haklaj dhe kryefamiljarit, Muharrem Haklaj.

Ndërkohë, më 4 gusht të vitit 1999, u vranë në atentat, në afërsi të fshatit Cërnicë, me mina të telekomanduara, Halil Haklaj e Feriz Kërnaja dhe u plagos rëndë Fatmir Haklaj.

Një gjë e tillë nuk do të përsëritej tre muaj më pas, më 4 nëntor të vitit 1999 kur ai do të vritej në një pritë në fshatin Bujan, vetëm 50 metra larg shtëpisë së mikut të tij Jaho Salihi.

Hakmarrja ndaj fisit Haklaj nuk është ndalur me kaq. Më 3 dhjetor të vitit 2000 u ekzekutua me snajper djali tjetër, Ylli Haklaj.

Vrasja e fundit e djemve të familjes Haklaj është kryer më 8 maj të vitit 2002, pranë spitalit të Bajram Currit, ku mbetën të vrarë Elez Haklaj dhe i djali i tij, Çelë Haklaj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore