Shqipëria

Aeroporti i Kukësit, zyrtarisht i hapur


Aeroporti më i ri në Shqipëri, “Zayed, Flatrat e Veriut”, në Kukës, ka pritur ditën e sotme më 18 prill avionin e parë.

Ai u nis nga Londra, në një fluturim ku ishin një grup emigrantësh shqiptarë.

Fillimisht, avioni u ul në Rinas për arsye protokollare. Aty, grupit kuksian iu bashkua edhe kryeministri, Edi Rama. Ai ishte i shoqëruar nga ministrja e Infrastrukturës dhe Energjitikës, Belinda Balluku.

“Sot është një ditë fantastike për të gjithë shqiptarinë”, nisi kryeministri fjalimin e tij.

Rama, gjatë deklaratës u ndal tek emri i aeroportit, duke e cilësuar jo vetëm një aeroport të ri, por edhe një tempull kujtese.

“Kujtese e komunitetit nga Prishtina, Tirana, Kukësi dhe kudo ku jetojnë shqiptarët”, tha Rama gjatë fjalimit.

Aeroporti është i emërtuar “Zayed”, në nder të princit arab Zayed, i cili në vitin 1999, kishte hapur në Kukës kampin e refugjatëve.

“Erdhi këtu për tu kujdesur për refugjatët e luftës, dhe Zayed dha urdhër që urgjentisht të hapej pista, dhe gjurma e kësaj piste është gjurma e kësaj histori të jashtëzakonshme”, theksoi Rama.

Gjithashtu, ai ceku galerinë me fotografi përshkrimore të luftës, ndër të cilat edhe momente prekëse të shqiptarëve të Kosovës, të përjetësuara në imazhe fotografike.

Momente historike si takimi Thaçi-Rugova apo ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, janë pjesë e ekspozitorit.

“Më mungon Hashim Thaci”, shtoi më tej kryeministri Rama.

Në aeroport është i vendosur momenti kur Hashim Thaci dhe Ibrahim Rugova i hapën rrugë procesit pa kthim të çlirimit kombëtar të Kosovës.

‘’Dua të ndaj me ju faktin që më mungon shumë sot, dikush, më mungon dikush që unë e konsideroj një prej shqiptarëve më të mëdhenj”.

“Do doja t’i çoja një përqafim dhe t’i thoja se në muret e këtij aeroporti gjendet dhe një moment i jashtëzakonshëm i historisë shqiptare, kur Hashim Thaçi e Ibrahim Rugova së bashku i hapën rrugë procesit pa kthim çlirimit të Kosovës”.

“Aeroporti i Kukësit ka për të gjeneruar investime të tjera”, theksoi kreu i qeverisë.

Nga ana tjetër Balluku e cilësoi ditën e sotme si “të veçantë dhe të shumëpritur”.

Ajo shpjegoi se si “në fillim kishte dyshime, nëse do të arrihej të përfundohej dhe të kthehej nga një aeroport ushtarak në atë ndërkombëtar”.

“Do të nisin të gjitha testet, do nisin nga puna për të lidhur kontratën për ta bërë këtë aeroport sa më tërheqës për gjithë zonën”, tha ministrja në fjalimin e saj.

Me datë 17 qershor aeroporti do të jetë tërësisht gati. Balluku theksoi se ky është një aeroport operacional dhe i lihet në dorë koncensionarit.

Ndër të tjera ajo shtoi se fluturimet kryesore do të jenë drejt Gjermanisë, Anglisë dhe Zvicrës.

Për ministren aeroporti është “Gjeneza e një historie të re për aviacionin civil”.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore