Sport

“Avanhard Stadium”, stadiumi që pa gjithçka përveç futbollit


Pripyati ishte një qytet Ukrainas në kufij me Bjellorusinë. Qyteti u themelua më 4 shkurt 1970, si qyteti i nëntë bërthamor në Bashkimin Sovjetik, për t’i shërbyer Centralit Bërthamor të Çernobilit. Qyteti në total kishte rreth 50 mijë banorë.

Së bashku me qytetin u krijua edhe ekipi që do e përfaqësonte në garat e futbollit, FC Stroitel Pripyat dhe stadiumi “Avanhard”. Ekipi përbëhej nga lojtarë vendas dhe të zonave përreth.

Në 1981 ekipi arriti të fitonte Ligën Rajonale të Kievit dhe më 1985 mori pjesë në Ligën Sovjetike të Futbollit Amator. Stadiumi i vjetër në Pripyat ishte në çdo ndeshje i stërmbushur me tifozë.

Për këtë arsye u mendua që të ndërtohej një stadium i ri me rreth 5 mijë vende. Stadiumi përfundoi së ndërtuari më 1986 dhe u mendua të inagurohej me një ceremoni të madhe në Ditën e Punëtorëve, më 1 maj të po atij viti.

Më 26 Prill, shpërthimi i Reaktorit nr. 4 në Termocentralin Bërthamor të Çernobilit, rrëzoi të gjitha planet dhe shpresat për Pripyat. Nga ajo kohë stadiumi nuk pa asnjë ndeshje futbolli.

“Avanhard” u përdor si pistë ulje për helikopterët. Më vonë, një stacion meteorologjik u vendos në fushën e futbollit me pajisje për monitorimin e rrezatimit bërthamor të Çernobilit. Gjithashtu stadiumi është përdorur si pamje vizuale në lojën e famshme kompiuterike “S.T.A.L.K.E.R, Shadow of Chernobyl”.

Sot fusha është mbushur me bar dhe pemë dhe tribuna po shembet. Stadiumi “Avanhard” i mbizotëroi rrezatimit, por nuk mundi që t’i mbizotëronte forcës së natyrës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore