Lajme

“Ashpërsimi i retorikës serbe rrezik real për sigurinë në rajon”


Ferenc Kajar dhe Donika Gërvalla

“Ashpërsimi i retorikës serbe dhe prania e theksuar e ndikimit të aksit anti-Kosovë përmes Serbisë, përbën rrezik real për sigurinë në rajon”.

Kështu është deklaruar Ministrja e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës, Donika Gërvalla gjatë takimit me Komandantin e KFOR-it, gjeneralmajorin Ferenc Kajar, duke potencuar se për këtë problematik duhet një përgjigje e përbashkët.

Gërvalla, duke i dëshiruar mirëseardhje në Kosovë komandantit të ri të KFOR-it, theksoi rolin kyç që ka ky i fundit në ruajtjen e sigurisë dhe paqes në Kosovë dhe rajon.

“Shpreh gatishmërinë e institucioneve të Kosovës për të qenë në bashkëpunim të vazhdueshëm me KFOR-in”, ka thënë Gërvalla.

Kryediplomatja kosovare ka informuar gjeneralmajorin Kajari edhe me angazhimin e institucioneve të Kosovës në drejtim të forcimit të sundimit të ligjit.

Komandanti i KFOR-it, Gjeneralmajori, Ferenc Kajar ditë më parë në një intervistë kishte deklaruar se situata aktuale e sigurisë në Kosovë është stabile dhe se KFOR-i vazhdon të zbatojë në bazë ditore mandatin e tij.

Komandanti hungarez, ka bërë të ditur se KFOR-i ka mirëpritur marrëveshjen e fundit në Bruksel që zgjodhi situatën në Veri pas vendosjes së masës së reciprocitetit për targat nga ana e Qeverisë së Kosovës.

Ai madje ka potencuar se ata e mbështesin me vendosmëri dialogun dhe përpjekjet e tjera që synojnë normalizimin a marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Me 15 tetor të këtij viti, gjeneralmajori hungarez, Ferenc Kajar, ishte emëruar komandanti i ri i KFOR-it.

Kështu duke e zëvendësuar, kolegun e tij Gjeneralmajorin italian, Franco Federici.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore