Sport

Arteta: Humbëm ndaj një ekipi të jashtëzakonshëm, por nuk ka përfunduar asgjë


Arsenal-i u mposht në mbrëmjen e kaluar nga Manchester City në ndeshjen kryesore të sezonit në Premier Leauge.

Pikërisht kjo humbje ka bërë që Arsenal-i ndoshta ta lëshojë kreun e tabelës, të cilin e mban thuajse nga fillimi i kampionatit anglez.

Skuadra e Mikel Arteta-s ende mban lidershipin me dy pikë më shumë se kundërshtari i mbrëmshëm, por City ka dy ndeshje më shumë për t’i zhvilluar.

Pikërisht për këtë gjë, trajneri i “Topçinjve” ka thënë se ende asgjë nuk ka mbaruar sa i përket titullit kampion, pavarësisht se për shumëkënd Manchester City tashmë do të shpallet kampion në Premier Leauge.

Kur u pyet se statistikat thonë se City ka 92.1% shanse për t’u bërë kampion, Arteta tha: “Nuk mund t’i ndjek statistikat sepse ato në fillim të sezonit thanë se do të ishim të gjashtit apo të shtatit, por ja ku jemi sot” tha Arteta.

“Janë edhe 5 ndeshje për t’u luajtur që do të thotë se janë 15 pikë në lojë. Me këto pikë ne do të shkonim në 90 gjithsej, që mendoj se do të ishte mirë. Ta shohim se çfarë do të ndodhë”, shtoi tekniku spanjoll.

Arteta më pas komentoi edhe ndeshjen, duke thënë se City ishte larg ekip më i mirë sesa Arsenal-i. Ai tha se ekipi i tij kishte paraqitje shumë më të dobët se ndeshjen e parë në “Emirates Stadium” të cilën gjithashtu u mposhtën.

“Ne humbëm sot dhe duhet të pranojmë se humbëm në një mënyrë shumë të ndryshme nga ‘Emirates’. Cilësia e paraqitjes sot ishte shumë e largët midis njërës skuadër dhe tjetrës”, theksoi Arteta.

“Në 30 minutat e para, të gjitha gjërat themelore që duhet të bësh kundër një ekipi të jashtëzakonshëm për sa i përket konkurrencës, fitimit të dualeve, të kuptuarit se çfarë kërkon loja, ne nuk e bëmë dhe u ndëshkuam dhe mund të ishim ndëshkuar madje më shumë”, shtoi ai.

“Mirëpo, humbëm ndaj një ekipi shumë të mirë, por ende asgjë nuk ka përfunduar”, tha mes tjerash Mikel Arteta.

Kujtojmë që ndeshja përfundoi me rezultat 3:1, ku golat për City-n u shënuan nga Kevin De Bruyne dy, John Stones dhe Erling Haaland shënuan nga një, ndërsa për Arsenal-in realizoi Holding.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore